Këto ishin 24 orët më të përgjakshme për palestinezët që prej 60 vitesh janë mbërthyer në një konflikt të ashpër me Izraelin.
Ky i fundit nuk ka ndalur sulmet ajrore pavarësisht apelit të komunitetit ndërkombëtar. Gjatë këtyre luftimeve bilanci i viktimave të sulmeve ka marrë përmasa tragjike.
Sipas CNN regjistrohen 275 të vdekur dhe mbi 600 të plagosur. Avionë dhe helikopterë luftarakë të Izraelit në mbrëmjen e së shtunës zbrazën mbi objektiva të ndryshëm në Gaza më shumë se 100 ton bomba. Shkatërruan më shumë se 40 objekte të sigurisë në të gjithë Gazën përfshirë edhe një kamp ushtarak ku gjendeshin rekrutë të rinj të Hamasit.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Ehud Barak, hodhi poshtë ofertën për armëpushim me Hamasin duke shtuar se sulmet janë përgjigje për goditjet me raketa të këtij të fundit.
Militantët e Hamasit duket se nuk kanë ndërmend të dorëzohen dhe po kundërpërgjigjen njësoj. Ata kanë hedhur afro 110 raketa drejt Izraelit duke vrarë një grua.
Këshilli i Sigurimit i mbledhur në një takim të jashtëzakonshëm shprehu shqetësim të thellë për situatën në Gaza dhe bëri thirrje për ndaljen e menjëhershme të dhunës.
Bashkimi Evropian, Vatikani dhe ndërmjetësi i Kombeve të Bashkuara për Lindjen e Mesme, Toni Blair, kanë kërkuar rivendosjen e paqes, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë akuzuar Hamasin. Por duket se asnjë nga palët nuk ka ndërmend të tërhiqet. Izraeli thotë se ofensiva do të vazhdojë për aq kohë sa të jetë e nevojshme./tvklan.al