Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-Moon, u ka shpërndarë mbrëmë përfaqësuesve të vendeve anëtare të Këshillit të Sigurimit propozimin e tij gjashtëpikësh për vendosjen e EULEKS-it e ku… ka dhënë deklaratën katërpikëshe të lidershipit të Prishtinës.

Megjithëkëtë kryeministri Hashim Thaçi ka deklaruar sot në kuvend se ndonëse qëndrimi i Kosovës është marrë parasysh nga sekretari, Ban, propozimi i tij vazhdon të jetë i papranueshëm.

Hashim Thaçi: “Qëndrimi i institucionit të Kosovës është i qartë. Është i gjithë politikës, institucioneve dhe popullit të Kosovës”.

Lidershipi i Prishtinës konsideron se plani gjashtëpikësh i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së e ku përfshihet policia, dogana, drejtësia, transporti, kufijtë dhe trashëgimia kulturore serbe cenon rëndë funksionimin normal të këtyre resorëve.

Ministri i Transporteve, ai i Pushtetit Lokal dhe i Punëve të Brendshme kanë deklaruar për TV Klan se plani i sekretarit, Ban, assesi nuk duhet të pranohet.

Fatmir Limaj: “Jam shumë i bindur që do gjendet rrugë që EULEKS-i të shtrihet në të gjithë territorin e Kosovës dhe të punojë sipas mandatit të paraparë me dokumentin kushtetues të këtij vendi”.

“Dhe pakoja Ahtisari si e tillë duhet të implementohet në tërësi. Nuk është diskutuar asnjëherë dhe nuk është dhënë asnjë mundësi që të implementohet në formën selektuese”.

Zenun Pajaziti: “Në përgjithësi çdo variant tjetër që është në kundërshtim me kushtetutën e vendit, me ligjin për policinë e komprometon dukshëm procesin e ndërtimit të institucioneve tona shumë etnike.”

Propozimi i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së do të hidhet të mërkurën për diskutim në Këshillin e Sigurimit.

Ekzistojnë gjasa reale që ky propozim të përkrahet nga anëtarët e këshillit, por çfarë do të ndodhë nëse përkundër kundërshtimit të lidershipit të Prishtinës propozimi i Ban Ki-Moon do të fillojë si i implementuari në Kosovë./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki