Bashkia e Tiranës dhe Ujësjellës-Kanalizime vijuan edhe dje aksionin për monitorimin e situatës në terren dhe ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, si në zonat periferike, ashtu edhe brenda qytetit.
Grupet e Task-Forcës, me ndihmën e Policisë së Shtetit, Policisë Bashkiake, Prefekturës dhe stafit teknik të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, u përqendruan në zonën e Dajtit, Babrrusë, Kombinatit, rruga e Kavajës, Pallati me Shigjeta, Ali Demi etj, si dhe në linjat e transmetimit DN 700 dhe DN 1000.
Vetëm gjatë ditës së djeshme, grupet e punës në terren kanë verifikuar 997 abonentë, familjarë dhe biznese. Gjatë kontrolleve janë identifikuar dhe shkëputur 318 raste të lidhjeve të paligjshme në rrjetin e ujësjellësit, ku uji i pijshëm përdorej për ujitje, ndërsa kanë vendosur 21 gjoba për familjarë dhe 11 të tjera për biznese të ndryshme.
Një pjesë e këtyre rasteve janë referuar në organet ligj zbatuese të Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, ndërsa është bërë edhe shoqërimi i tre personave në polici.
Gjithashtu, falë masave të marra nga Bashkia e Tiranës dhe ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizime, janë lidhur një numër i konsiderueshëm i kontratave të reja.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe eliminimit të abuzimeve me ujin e pijshëm nga subjektet private, ku janë marrë të gjitha masat për ndërprerjen e lidhjeve të ujit që përdorej nga lavazhet e makinave apo për ujitje.
Qytetarët të cilët kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm apo konstatojnë raste të lidhjeve të paligjshme, mund të telefonojnë në numrat e vendosur në dispozicion, 0800 44 88 të Ujësjellësit të Tiranës.
/tvklan.al