Janë të paktën 150 milionë euro të cilat u vidhen çdo vit shqiptarëve si rezultat i abuzimit të tregtarëve të karburantit. Në këtë përfundim ka dalë Konfindustria gjatë një analize të kostove shtesë të cilat ju faturohen konsumatorëve, bizneseve dhe ekonomisë shqiptare në përgjithësie, nga çrregullimet me cilësinë, sasinë dhe çmimi i karburanteve.
Konsumatorët janë edhe më të dëmtuarit pasi mbi ta bie 3 fish pesha e abuzimit me karburantet.
Gjergj Buxhuku: “Konsumatori shqiptar preket drejtpërdrejt nga ulja e fuqisë blerëse sepse janë para, kosto shtesë që ai detyrohet ti paguaj. Industritë që prodhojnë mallra dhe shërbime janë të detyruar që këto kosto shtesë abuzuese të karburanteve ti shtojnë në çmimet e prodhimit dhe të shërbimeve që ata ofrojnë. Ku ulet forca konkurruese, ulet efektiviteti i ekonomisë shqiptare në tërësi që në një periudhë afat shkurtër dhe afat mesëm mund të përkthehet në falimentime masive, pra në rritje të papunësisë.”
Konfindustria përllogarit se mbi konsumatorin rendojnë edhe kosto shtesë të tilla si dëmtimi i shëndetit, i automjeteve, ndotja mjedisore etj. Kjo shoqatë vazhdon të këmbëngulë në inde e ngritjes së një enti që do të vinte në binarët e duhur tregun e karburanteve.
Fjorald Zguro: “Çmimet e karburant vijojnë të mbeten të larta për xhepat e qytetarëve shqiptar. Pavarësisht një përpjekje nga ana e grosistëve për ti ulur ato këtë fundjavë.”
Televizioni Klan vijon të sjellë argumente të cilat hedhin dritë mbi çrregullimet që kanë përfshirë tregun më të madh në vend, atë të karburanteve. Shteti vijon të tregohet indiferent duke mos marrë asnjë masë.
Ndërkaq pritet që gjatë ditëve në vijim autoritet i konkurrencës të bëjë publike rezultatet e hetimit të thelluar mbi tregun e karburanteve të ndërmarrë disa muaj më parë./tvklan.al
Gazetar: Fjorald Zguro