Tregtimi vend dhe pa vend i bombolave të gazit mbetet një kërcënim i vazhdueshëm për qytetarët.  Në Tiranë bombolat e gazit mbushen dhe tregtohen jashtë standardeve dhe normave minimale të sigurisë. Siç shihet gazi i lëngshëm tregtohet në rrugët kryesore të kryeqytetit fare pranë turmave të kalimtarëve duke vënë në rrezik jetën e tyre.

Bombolat tregtohen edhe në dyqanet e ushqimeve apo lokalet e shërbimit, kjo për të vetmen arsye, fitimin nga ana e shitësve pa marrë parasysh se duhen përmbushen një sërë kushtesh të tilla si sistemi i ajrimit, i alarmit etj, të cilat mungojnë në pjesën më të madhe të pikave ku tregtohet gazi i lëngshëm.

Por problem madhor sipas ekspertëve të fushës është momenti i mbushjes së bombolave. Kjo gjë është kategorikisht e ndaluar që të ndodhë nga qytetarët pranë pikave të tregtimit të gazit.

Madje ligji nuk lejon që edhe në pikat e furnizimit me karburant të cilat tregtojnë edhe gaz të lëngshëm të mbushen bombola. Kjo është tepër e rrezikshme pasi bombolat mund të shndërrohen në një vatër të vërtetë eksplozivi.

Vetëm pak kohë më parë tregtimi i gazit në kushte të tilla solli pasoja të rëndë në tre ngjarje të ndryshme në Berat, Korçë  e Vlorë me viktima e të plagosur.

Po ashtu edhe depozitat e gazit duhet të respektojnë një sërë kriteresh, ato duhet të jenë larg qendrave të banuara apo rrugëve kryesore. Por në autostradën Tiranë-Durrës mund të gjesh disa dhjetëra pika të tilla të cilat janë një tjetër rrezik permanent për drejtuesit e automjeteve, banorëve dhe bizneseve të zonës./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro