Tregtimi i gazit të lëngshëm vazhdon të kryhet duke shkelur haptas rregullat e sigurisë teknike. Në kryeqytet bombolat e gazit mbushen rëndom pranë pikave të karburantit, ndonëse një gjë e tillë është kategorikisht e ndaluar me ligj.

Pikat e karburantit janë të autorizuara të tregtojnë gaz vetëm për automjetet theksojnë ekspertët, ndërsa mbushja e bobolave në prani të konsumatorit mund t’iu kushtojë atyre përveç masave administratave dhe ndjekje penale.

6 prej tyre janë kallëzuar penalisht tashmë nga Avokati i Popullit, i përfshirë në këtë shqetësim i trajtuar gjerësisht në edicionet informative të televizionit Klan.

Sipas ekspertëve bombolat e gazit duhet të mbushen vetëm pranë qendrave të kontrolluara dhe të licensura nga inspektorati qendror teknik. Qendra të tilla duhet të ngrihen larg zonave të banuara nga ku dhe më pas të pajisura me elementë te sigurisë bombolat duhet të transportohen drejt pikave të autorizuara për shtije.

Tregtimi vend e pa vend i bombolave është një tjetër kërcënim i vazhdueshëm për  jetën e qytetarëve. Edhe në kërkesën e Avokatit të Popullit drejtuar disa institucioneve që merren me monitorimin dhe rregullimin e këtij tregu, theksoi se mungesa e standardeve të sigurisë mund të kushtojë jetë njerëzish, siç ndodhi vitin e shkuar në Berat./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro