Pas shqetësimit e ngritur në kronikat e herë pas hershme të Televizionit Klan lidhur me pasigurinë dhe rreziqet që mbart tregtimi jashtë standardeve i gazit të lëngshëm, ka reaguar qeveria, duke miratuar një bazë ligjore për marrjen e masave emergjente, për përmirësimin e situatës së sigurisë dhe veprimtarive në instalimin e impianteve, që shërbejnë për depozitimin, transportimin dhe tregtimin e gazit dhe naftës dhe nënprodukteve të tyre.

Ky projektvendim ka për qëllim ndërmarrjen e masave të menjëhershme për eliminimin e rreziqeve evidente dhe dëmtimeve të mundshme të jetës, pronës dhe mjedisit. Shkaktuar si rrjedhojë e mos respektimit të kushteve teknike të ushtrimit të këtyre veprimtarive.

Sali Berisha: “Ky vendim përbën një bazë të re për sigurinë nga impiantet e shpërndarjes së këtyre lëndëve. Përcakton kritere, përcakton detyrime, përcakton masa të cilat rrisin në mënyrë të ndjeshme shkallën e sigurisë. Ministria ka disa muaj që studion problemin, së bashku me ministritë e tjera dhe sot konkretizohet në këtë vendim shumë të rëndësishëm, i cili duhet të rrisë shkallën e sigurisë në këtë vend.”

Gjithashtu ky projekt vendim i qeverisë, synon dhe mbylljen e atyre veprimtarive, të cilat ushtrohen nga subjekte të pa licencuara. Vetëm një ditë më parë në qytetin e Korçës, shpërthimi i shkaktuar nga çlirimi i gazit të lëngshëm gjatë furnizimit të një lokali me anë të një autoboti, për pak i mori jetën 2 personave.

Televizioni Klan ka arritur të sjellë pamje nga të gjitha qytetet e vendit në kronikat e tij e të herëpashershme, u tregohen pamje se si gazi i lëngshëm tregtohet në vende të pa përshtatshme. Duke neglizhuar dhe rregullat me elementare të sigurisë teknike.

Kjo situatë kaotike  duket se është dhe rezultati i mungesës së bashkëpunimit të inspektoratit qendror teknik, i cili ka për detyrë sigurinë në tregun e gazit  në vend dhe pushtetit lokal, i cili licencon aktivitetin dhe i jep lejet e shfrytëzimit./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka