Për një imunitet të fortë dhe jetë sa më të shëndetshme të fëmijëve, specialistët rekomandojnë që periudha e vjeshtës është e duhura për marrjen e vitaminave.
“Ky është sezoni kur realisht vitaminat kanë më shumë vlerë se çdo periudhë tjetër e vitit, krahasimisht me periudhën e verës ku në verë ne nuk e rekomandojmë të jepen, duke qenë se ka diell dhe vitamina D merret në mënyrë natyrale. Ndërsa në pjesën tjetër pastaj ajo ç’ka rekomandojmë është marrja e multivitaminave, që nga Shtatori kryesisht edhe për periudhën e dimrit për një rritje imuniteti.”
Mjekja pediatre tregon se si duhet të kombinohen vitaminat dhe multivitaminat, dhe mbi të gjitha kohëzgjatja e përdorimit të tyre.
“Vitamina D është ajo që rekomandohet nga mosha 0-3 vjeç dhe përgjithësisht nuk shkëputet dhe në fakt duhet një pauzë. Multivitaminat përgjithësisht rekomandohen të merren të paktën për një periudhë një mujore, ku shoqërohet me antibiotikë, ku shikohet njëlloj anoreksie tek fëmija, ku një analizë gjaku ka diçka që nuk shkon, ku mund të ketë filluar të ulet niveli i hemoglobinës dhe ndihmohet me një supplement, por jo në pafundësi.”
Ushqimet e shëndetshme dhe aktiviteti fizik, sipas specialistëve janë tepër të rëndësishme për fëmijët që të përballojnë stinën e virozave.
Klan News