Në vizitën e tij në Beograd të Serbisë, ndalesa e dytë e turneut ballkanik, zv/presidenti amerikan, Joe Biden, theksoi rolin konstruktiv të Serbisë në rajonin e Ballkanit dhe Evropës Juglindore dhe garantoi se Shtetet e Bashkuara do të promovojnë Serbinë për ta ndihmuar atë të bëhet pjesë e komunitetit euroatlantik.
Përsa i përket Kosovës Biden sqaroi se dy vendet kanë të drejtën të mos jenë dakord mbi këtë çështje, por duhet të punojnë së bashku për sigurinë e rajonit.
Joe Biden: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk presin që Serbia të njohë Kosovën. Ky nuk është një parakusht i marrëdhënieve tona. Megjithatë ne insistojmë që Beogradi të bashkëpunojë me Bashkimin Evropian dhe aktorët tjerë kyçë ndërkombëtarë në Kosovë, dhe të kërkojë zgjidhje pragmatike, që do të përmirësonte jetën e njerëzve atje, të shqiptarëve dhe të serbëve, duke mos i kthyer ato në viktima të mospajtimeve politike”.
Udhëheqësit e Serbisë e cilësuan vizitën si një arritje shumë të rëndësishme. Vizita e Biden u prit me protesta të radikalëve sipas të cilëve Tadiç priti një person qe urren serbet dhe lobistin me te madh te shqiptareve në Uashington.
Një ditë më parë në fjalimin e tij në parlamentin e Bosnjës, Biden përsëriti mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe tha se pavarësia është e pakthyeshme.
Ndalesa e fundit e numrit dy të Shtëpisë së Bardhë do të jetë Kosova ku liderët e Prishtinës kanë organizuar një mikpritje madhështore për të./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle