Arbiana ka ardhur në “Shihemi në Gjyq” për t’u përballur me nënën, Arjanën që nuk e pranon në shtëpi pa vajzën e vogël. Ajo ka tre fëmijë, por nuk ka asnjërin prej tyre sepse thotë që ia ka marrë familja e bashkëshortit, e cila jeton në Shkodër.

Deri më tani nuk dihet si ka ndodhur e gjithë kjo situatë ndaj ndërmjetësja e rubrikës të së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Eni Çobani i kërkon ta rrëfejë historinë nga fillimi. 27-vjeçarja nis të tregojë se është martuar në hyrje të vitit 2019 dhe dy muaj më vonë, ka  ardhur në jetë vajza e parë.

Arbiana: Nuk bëmë as dasmë, thjesht e morëm njëri-tjetrin me shkuesi dhe pas dy muajve u bëmë me fëmijën e parë, vajzën e madhe që sot është 5 vjecce. Linda fëmijën dhe burri ma mori dhe ia dha vjehrrës dhe vjehrrit.

Eni Çobani: Si ia dha?

Arbiana: Ia dha. Më tha mua “nuk je e aftë ti për të rritur fëmijë”. Cila nënë di të rrisë fëmijë kur bëhet për herë të parë? Cila? Asnjë nuk di.

Eni Çobani: Patjetër.

Arbiana: Po. Më tha “do të të ndihmojë vjehrra për t’u kujdesur për fëmijën”. E merrja fëmijën për ta ushqyer me gji dhe vjehrra nuk më lejonte. As burri jo! “S’ke gji” më thoshte, unë kisha gji. Më fal për shprehjen, më kullonte qumështi.

Koha vetëm e përkeqësoi situatën. Historia me vajzën u përsërit edhe me ardhjen e djalit në jetë ku sërish Arbiana u pengua që të kujdesej për të birin.

Arbiana: Mua më lindi djali me problem dhe më tha doktoresha “ka nevojë djali të pijë sa më shumë gji që të shërohet” dhe nuk e lejuan këtë gjë! I dhanë fëmijës qumësht kutie! Si të parës, edhe të dytit.

Eni Çobani: Cili ishte pretendimi pra, thanë që gjiri ishte i infektuar apo jo?

Arbiana: Thanë që qumështi ishte i helmuar, po./tvklan.al