Zmijani: Rezultatet justifikojnë blerjet
Pas një rinovimi në grupin e futbollistëve, staf teknik dhe drejtues të ri, edhe në Shkodër Vllazninë e këtij sezoni e panë me skepticizëm. Por rezultatet e marra deri tani, u kanë dhënë të drejtë krerëve të klubit kuqeblu.
“Janë duke punuar shumë mirë, po marrin maksimumin që kanë mundësi. Sigurisht që është ekip i ri dhe flasim me rezerva, por rezultatet flasin vetë”, thotë ish-futbollisti Hysen Zmijani.
Por a mund të konsiderohen surprizë rezultatet pas 7 javësh të luajtura?
“Surpriza e Vllaznisë mund të jetë 2-3 ndeshjet e para, por kjo është vazhdimësi. U ndesh me më të mirat, Tiranën e Kukësin dhe u pa forca e Vllaznisë”, shton Zmijani.
Hysen Zmijanin, një prej figurave elitare të ekipit shkodran, nuk e fsheh që ishte skeptik pas merkatos së verës.
“Me 16 blerje Vllaznia duhet të ishte absolute. Nuk ishin emra të mëdhenj, por po japin vlerë. Nuk është ajo që futbolli është me emra”, shprehet ish-futbollisti.
Zmijani është i lumtur me ecurinë e deritanishme, por sygjeron afrime të tjera në merkaton e Janarit.
“Unë mund të them që është perfekt. Sot për sot kjo është rinia që po vrapon te Vllaznia. Por ka nevojë për 1-2 blerje me eksperiencë. Trajneri ka bërë punën e vet, drejtori teknik ose presidenti është për t’i shtrënguar dorën”, e përmbyll Zmijani.
Pas javës së 7 të Superligës, Vllaznia gjendet e para në renditje me 16 pikë, 5 fitore, një barazim dhe një humbje.
Ndeshja e radhës do të jetë një provë e fortë. Luhet përballë Partizanit.
Tv Klan