Brenda prillit të 2010-ës, terminali i pasagjerëve të portit më të madh në vend atij të Durrësit, do të shndërrohet në një terminal modern me një kapacitet mbajtës prej 2000 pasagjerësh. Punimet për këtë investim të BERZH, Bankës Europiane të Investimeve dhe qeverisë shqiptare, ka nisur sot nga kompania sllovene SCT dhe shiritin e fillimit të tyre e ka prerë kryeministri Berisha.
Për kreun e këshillit të ministrave ulja e shumës fillestare të deklaruar për realizimin e këtij projekti për të arritur në vlerën aktuale që do të kapë ky investim tregon transparencën me të cilën punon qeveria.
Sali Berisha: “Fondi limit për portin ka qenë parashikuar 22 milion i këtij investimi, kontrata është nënshkruar me 15 milion, pra kjo është transparenca të dashur qytetar e qytetare. Kontrata është firmosur me 7 milion kursim, euro kursim”.
Presidenti i kompanisë sllovene SCT ka garantuar për cilësi maksimale të punimeve për terminalin e pasagjerëve që do të jetë dhe më i madh në portet shqiptare. Por kryeministri përveç cilësisë së punimeve nuk ka harruar t’i kujtojë se të gjithë investitorëve të tjerë edhe presidentit të SCT-ës të punojë me tre turne për të përfunduar para afatit 17 prill 2010 këtë vepër.
Sali Berisha: “Njerëzisht do t’i kërkoja që afatit ta nënkuptojë disa muaj para afatit. Këtu punohet në mënyrë komode me tre turne, sepse klima e Durrësit e lejon, madje turnin e tretë e ka më të lehtë në punë se dy turnet e tjera. Ndaj dhe le të punojmë bashkërisht që t’ia dorëzojmë këtij qyteti terminalin që mezi e pret”.
Aktualisht terminali i pasagjerëve në portin e Durrësit ka një kapacitet të ulët pritës në prag festash apo pushimesh kur dhe numri i udhëtarëve është i lartë, shumë prej pasagjerëve janë të detyruar të rrinë në qiell të hapur duke krijuar kaos në portin e Durrësit./tvklan.al
Gazetare: Ejla Zotka
Operator: Metlin Kepi