Këtë të Premte është zhvilluar mbledhja e grupit të Dialogut për “Zgjedhoren”. Në një prononcim për mediat, Damian Gjinkuri tha se PS do adresojë në Korrik të gjitha ndryshimet ligjore për kodin zgjedhor. Po ashtu dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës. Ndërkohë është refuzuar kërkesa e opozitës për rikthimin e koalicioneve parazgjedhore.
“Në këtë pikë që jemi duhen adresuar dy çështje, 3 vendime të Gjykatës Kushtetuese, 2 janë më të rëndësishme. Ne si mazhorancë nëse nuk ka dakordësi do të iniciojmë propozimet tona. Vota e diasporës për të cilën kemi marrë propozimine para një viti të kolegëve të opozitës, të llogaritet në qarkun rëspektiv ku ka patur vendbanimin e fundit qytetari. Po ashtu lehtësim i procedurës së regjistrimit në gjendjen civile dhe gjithçka ka kërkuar diaspora nëpërmjet shoqatave të tyre. T’ja lëmë në dorë KQZ-së për të gjitha detajet që kanë të bëjnë me integritetin e votës. Dhe së fundmi, herësi ose formula e shpërndarjes së mandateve brenda forcave politike, jemi të hapur për konsensus, do dalim me propozimet tona.”
Gjiknuri theksoi se mazhoranca do financojë procesin e votimit elektronik në 4, 5 qarqet më të mëdha në vend.
“PD ka dy mendje, ka filluar të heqë dorë, nuk ka më besim siç duhet pavarësisht se ka qenë ndër kërkesat themelore në të kaluarën”, shtoi ai.
Po në rast se opozita nuk jep ‘OK’, si do miratohet vota e emigrantëve?
Gjiknuri u shpreh: Do u themi shqiptarëve, opozita nuk do! Grupi i dialogut do vazhdojë punën, por unë i pres të reflektojnë.
Sipas socialistit, në Shtator mund të dekretohet dhe data e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të vitit 2025.
E.D/tvklan.al