Vrasja e 14-vjeçarit, nxënës në një nga shkollat më te njohura 9-vjeçare te kryeqytetit, ka ndezur debatin parlamentar për sigurisë e institucioneve arsimore në vend.

Deputetja Ina Zhupa i kërkoi ministres së Arsimit dorëheqjen pasi vrasja me thikë e adoleshentin ndodhi në hyrje të shkollës e që sipas saj është tregues se paketa e sigurisë në shkolla ka qenë vetëm propogandë.

“Vetëm propagandë bëhet me sigurinë në shkolla. T’ju vijë turp. Dhe unë kërkoj sot nga ju që të largoheni, të jepni dorëheqjen”, tha deputetja e PD Ina Zhupa.

Ministrja Manastirliu që i shprehu ngushëllimet familjes së 14-vjeçarit dhe  foli për përgjegjësi kolektive për parandalimin e ngjarjeve të tilla përfshirë dhe ligjvënësit të cilët duhet të heqin dorë sipas saj nga gjuha e urrejtes dhe sulmeve në Parlament.

“Si përfaqësues të qytetarëve, të angazhohemi edhe më shumë për një mjedis më të sigurt dhe më të mbrojtur për fëmijët tanë duke luftuar në çdo formë dhunën. Të promovojmë vlerat e respektit për njëri-tjetrin, të mos ketë më gjuhë urrejtjeje, duke filluar nga kjo sallë”.

Për ngjarjen tragjike ku bashkëmoshatarët i morën jetën 14-vjeçarit, ndërsa dy të tjerë ngelën të plagosur, ka reaguar dhe Presidenti i Republikës.

Begaj e cilëson si një ngjarje që ngarkon me përgjegjësi të gjithë shoqërinë, shkollën dhe familjet për mjedisin ku rriten dhe arsimohen fëmijët.

Sipas Presidentit, e gjithë shoqëria ka një sfidë përpara, atë të frenimit të çdo lloj promovimi të dhunës në rrjetet sociale si dhe ndalimin e çdo shfaqje të dhunshme në shoqëri.

Tv Klan