Kjo pamje e përftuar nga kamerat e sigurisë, ka ndihmuar Policinë e Tiranës në identifikimin e makinës tip “Golf”, me të cilën u larguan autorët pas djegies së makinës së përdorur në vrasjen e Gentian Bejtjes pasditen e 15 Marsit në Fushë Krujë dhe më pas të dy personave që dyshohet se janë të lidhur me këtë ngjarje.

Tv Klan ka siguruar këtë foto nga kamerat e sigurisë, ku shfaqet automjeti me targën AB960GG në xhamin e pasmë të saj. Ky “Golf” ngjyrë e zezë rezultoi në pronësi të Edison Haxhiut, nga Kurbini tashmë i vënë në pranga nga policia.

Nga verifikimet përmes pamjeve filmike ka rezultuar se makina e 30-vjeçarit ka marrë autorët e vrasjes, nga fshati Hasan ditën e ngjarjes, pasi ata dogjën “Range Roverin” me të cilin vajtën pranë shtëpisë së tij. Për të mos u identifikuar, atë ditë kësaj makine i ishin hequr targa e pasme siç e shihni dhe në këtë pamje. 

Nëpërmjet kamerave, hetuesit ndoqën itinerarin e saj deri në fshatin Bubq të Krujës, aty ku dhe humbi gjurmët.

Pas disa ditësh verifikime dhe zbulimit të pronarit të automjetit, policia arriti ta gjejë atë në një lavazh në periferi të Tiranës, aty ku u vu në pranga dhe Edison Haxhiu i cili akuzohet për “Sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.

Gjithashtu nga analizimi i pamjeve filmike hetuesit zbuluan se ky automjet ka qenë në përdorim nga Ilir Beqaraj, i njohur edhe me mbiemrat Brahimi dhe Mançellari, gjithashtu nga Kurbini.

Më këto të dhëna uniformat blu ushtruan kontrolle në banesën e tij në Tiranë ku i gjetën dy pistoleta, njëra prej të cilave me leje, municion luftarak dhe një pasaportë dhe kartë identiteti kosovare.

41-vjeçarin Beqaraj, policia dhe prokuroria e kryeqytetit kanë dyshime se mund ketë patur rol dhe në vrasje, ndonëse deri tani ndaj janë ngritur vetëm dy akuza “Mbajta pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” si dhe “Falsifikim të dokumenteve”.

Pas arrestimit të dy kurbinasve kanë refuzuar të bashkëpunojnë me policinë, apo t’u japin atyre më tepër detaje rreth vrasjes së Gentian Bejtjes dhe arsyes përse makina e tyre u përdor për të larguar vrasësit.

Tv Klan