Dy ditë mbas ngjarjes që tronditi mbarë opinionin publik, shtëpia e deputetit të vrarë Fatmir Xhindi në Roskovec të Fierit vijon të jetë nën vëzhgim të plotë nga grupi hetimor dhe policia e shtetit. Dyshimet se rreth saj mund të gjenden gjurmë që do të çojnë më pas në gjetjen e autorëve, kanë përqendruar hetimet pikërisht në vendin ku ndodhi ngjarja.
Megjithatë për grupin hetimor, por edhe për familjarët mbeten ende mister shkaqet e vrasjes dhe autorët e saj. Ramadan Farja, bashkëshorti i motrës së viktimës ka rrëfyer për Tv Klan, se gjatë kësaj periudhe Xhindi nuk ka pasur konflikte me persona të tretë për asnjë motiv.
Ramadan Farja: “Fatmiri absolutisht e jap me 100% nuk ka pasur asnjë konflikt pronësie, sepse ai kufizohet me vëllezërit e tij dhe ata kanë një unitet në vëllazëri që rrallë fis në Shqipëri e ka. Fatmiri asnjëherë nuk ka pasur konflikt me individ të veçantë apo me njerëz të veçantë. Probleme hasmërie që të ketë pasur në zonë, absolutisht.”
Dëshmitë e familjarëve janë tashmë të dokumentuara në dosjen e grupit hetimor, i cili ka ngritur disa pista për ngjarjen, por që për arsye të sekretit hetimor nuk i ka bërë ato publike.
Ramadan Farja: “Ta gjejë shteti kush ka qenë individi, nuk vë gisht të them që, se di.” /tvklan.al