Kryeministri Berisha është bashkuara me zinë e familjareve të deputetit Fatmir Xhindi, i cili humbi jetën mbrëmjen e se shtunës pasi u qellua nga persona ende të paidentifikuar përpara shtëpisë së tij në Roskovec. Gjate vizitës në banesën e të ndjerit, numri një i ekzekutivit garantoi familjaret e deputetit të vrarë për angazhimin e qeverisë në zbardhjen e ngjarjes dhe vënien e autorëve përpara drejtësisë.   

Sali Berisha: “Ngjarje shokuese jo vetëm për familjen tuaj, jo vetëm për ju, për vëllezërit, për prindërit, për djemtë, për Roskovecin, por për të gjithë Shqipërinë. Tu siguroj se kjo qeveri nuk do të lërë gjë pa bërë në kuptimin ligjor për të gjetur autorin dhe për t’i dhënë dënimin më të merituar dhe ne po bëjmë përpjekje shumë të mëdha, por nuk do lëmë përpjekje pa bërë, nuk do të ndërpriten përpjekjet gjersa ai që kreu këtë krim të shëmtuar të vendoset para ligjit dhe të marrë dënimin që meriton. Aq sa të gjithë e kemi njohur ka qenë një deputet shumë i përkushtuar. Njeri me punë dhe jo me fjalë, njeri pa asnjëlloj dmth veçse përkushtimit familjar, përkushtimit të detyrës, përkushtimit të punës njeri që ka lënë kujtimin më të mirë te të gjithë ata që e kanë njohur.”

Pas vizitës në shtëpinë e familjareve të deputetit Fatmir Xhindi, kryeministri ritheksoi se do te hetohet çdo pistë hetimi për të bërë të mundur kapjen e atentatorëve.

Sali Berisha: “Ky është një akt i shëmtuar kriminal, i cili ka shokuar jo vetëm familjet e deputetit  Xhindi, familjarët e tij, bashkëqytetarët e tij, kolegët e tij deputetë, por të gjithë Shqipërinë dhe shqiptarët. Fatmir Xhindi është deputet në 3 legjislatura dhe gjatë gjithë veprimtarisë së tij, ka dëshmuar përkushtim dhe përgjegjësi ndaj detyrës shumë të rëndësishme që i kanë besuar qytetarët e Roskovecit. Unë erdha për të shprehur ngushëllimet familjes, por erdha dhe për ti siguruar se kjo qeveri do të bëjë çdo gjë për të gjetur dorën e zezë të krimit, autorin apo autorët, të cilët qëlluan prapa shpine dhe ekzekutuan deputetin Fatmir Xhindi në pragun e derës së shtëpisë së tij. Ne nuk do të lëmë pistë hetimi, nuk do të lëmë. Do mobilizojmë të gjitha llojet e mjetet në mënyrë që të kapim sa më shpejt autorin apo autorët e këtij krimi të shëmtuar. Edhe një herë jam këtu për tu shprehur ngushëllimet të gjithë qytetarëve të Roskovecit, familjes dhe miqve të afërmve të deputetit Xhindi.”

Kryeministri Berisha reagoi për këtë ngjarje të rëndë menjëherë pas lajmit për vrasjen e deputetit, ku e cilësoi si një akt barbar dhe kriminal, një ngjarje të rëndë dhe shokuese për Fierin dhe mbarë vendin./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro