Vrasja e Enkeleida Danajt në Greqi nga ish-bashkëshorti është një ngjarje e paralajmëruar. Këtë e treguan 3 denoncimet për dhunë që e ndjera kishte bërë në kohë të ndryshme. E fundit ishte më datë 7 Maj 2024, vetëm disa ditë më parë.
Më 6 Maj, Enkeleida dhe Eduard Danaj kishin zënkën e fundit. Eduardi kishte shkuar në banesën e ish-gruas ku e dhunonte psikologjikisht dhe fizikisht. Mediat greke kanë publikuar një video ku dëgjohen britmat e Enkeleidës, e cila i thotë të mos e godasë.
Eduardi vijon dhunën, madje në një moment i thotë “do të të vras”.
E pranishme ka qenë dhe vajza e çiftit, e cila lajmëroi policinë. Në video duket momenti kur mbërrin policia. Sherrin e dëgjuan edhe fqinjët e 40-vjeçares.
Të nesërmen më 7 Maj, Enkeleida bëri denoncim në polici.
Eduardi u arrestua dhe u mbajt në paraburgim për 2 ditë dhe më pas u lirua. Të premten, më 17 Maj, Eduard Danaj do të duhet të dilte para prokurorit pikërisht për dhunën që ushtroi ndaj 40-vjeçares më 6 Maj.
Por sot, Eduardi po e ruante ish-bashkëshorten kur ajo të dilte për të shkuar në punë. Në mes të rrugës e goditi disa herë me thikë duke i shkaktuar vdekjen. Enkeleida humbi jetën në trotuar në orët e mëngjesit të së enjtes.
Ndërsa ish-bashkëshorti u arrestua disa orë më vonë i fshehur në një pallat në ndërtim dhe duke konsumtuar birra.
/tvklan.al