48-vjeçari i identifikuar si Lulzim Visha ka mbetur i vrarë me armë zjarri ditën e sotme në rrugën “Shën Stefani” në Zall Mner të Tiranës.

Dyshimet kryesore lidhur me ngjarjen janë një hasmëri të mundshme mes viktimës Lulzim Visha dhe personave të tjerë, pasi para disa viteve, vëllai i Lulzim Vishës ka vrarë një tjetër person.

Sipas asaj që raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci, Lulzim Visha është vëllai i Besnik Vishës, i cili më datë 10 Prill të vitit 1997, ka vrarë më armë zjarri, për motive të dobëta Refik Domin, ngjarje kjo e ndodhur në afërsi të Universitetit Bujqësor Tiranë.

Ndërkohë gazetarja bën të ditur se Policia e Shtetit është në kërkim të një mjeti tip “Porche”, pasi dyshohet se ka lidhje me ngjarjen, dhe mund të jetë përdorur nga autorët.

Po ashtu një tjetër pistë që grupi hetimor ka ngritur dhe po e verifikon është ajo e një konflikti që dy vëllezërit kanë pasur në muajt e fundi me disa persona të tjerë në zonën e Zall Mnerit.

Dyshohet që 48-vjeçari të jetë nxjerrë në pritë. Nga dëshmitë paraprake që janë marrë në vendngjarje, banorët kanë thënë se nuk kanë dëgjuar të shtëna. Kjo ka ngritur dyshimet se mund të jetë vrarë me silenciator. Në makinë janë gjetur mbi 12 gëzhoja pistolete.

Shërbimet e Policisë ndodhen në vendngjarje. Ndërkohë grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve./tvklan.al