Ekspertët duhet të provojnë nëse Arbër Paplekaj qëlloi për vetëmbrojtje siç pretendon
“Me kërkesë të Arber Paplekajt gjykata e Apelit ka kërkuar rindërtimin e skenës së krimit të vrasjes së Pjerin Xhuvanit në qytetin e Elbasanit, ngjarje kjo e ndodhur në 21 Prill të vitit 2021 para zgjedhjeve të përgjithshme.”
Tre ekspertët e caktuar nga gjykata, Arjan Hanko i Institutit të Policisë Shkencore si dhe Artan Rexhepi e Shpëtim Buda, ekspertë të pavarur punuan për orë me radhë për të rindërtuar dinamikën e ngjarjes.
Ata kanë në dorë të provojnë që Arbër Paplekaj qëlloi për vetëmbrojtjes apo jo.
Në vendin e ngjarjes ekspertët vendosën piketat dhe kryen matjet, por nuk u krye simulim me makinë apo me automjete. Ata duhet të përcaktojnë këndin e qitjes së armëve, largësinë mes autorëve dhe shpërndarjen e gëzhojave.
Arbër Paplekaj e ka pranuar autorësinë për vrasjen e Pjerin Xhuvanit dhe u vetëdorëzua, por ka patur kundërshtimet e tij në procesin gjyqësor. Paplekaj ka deklaruar në seanca se e ka kryer vrasjen në rrethanat e vetëmbrojtjes.
Në fakt në vendngjarje, veç 7 gëzhojave të armës së Arbër Paplekajt u gjetën edhe 13 gëzhoja të dala nga armë të modeleve të tjera.
Sipas Paplekajt dhe palës mbrojtëse të tij, në këtë ngjarje kanë qëlluar të paktën edhe dy persona të tjerë të cilët nuk kanë dalë gjatë hetimit të çështjes.
Ka qenë pikërisht kjo arsyeja që Paplekaj ka apeluar çështjen dhe gjykata caktoi tre ekspertët për rindërtimin e skemës së krimit.
Rezultatet e ekspertëve duhet të dorëzohen në Gjykatë brenda datës 9 Prill sipas vendimit të marrë nga trupi gjykues.
Për ngjarjen ku mbeti i vrarë aktivisti i PS-së Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë, mes të cilëve edhe një efektive policie, Arbër Paplekaj u dënua me 22 vite burg, ndërsa 2 nëndrejtorët e policisë Elbasan me nga 1 vit shërbim prove dhe 6 efektivët e repartit “Shqiponja’ me nga 16 muaj shërbim prove.
Klan News