Pas 31 vitesh arrati, një 54-vjeçar i cili rezulton autor i vrasjes së 3 personave është arrestuar dhe ekstraduar në vendin tonë. Bardh Lula, i njohur dhe me identitetin tjetër Bardhyl Luli u kap në Milano, me dokumente të falsifikuara. Lokalizimi i tij u bë pas informacioneve të siguruara nga policia shqiptare dhe shkëmbimit të informacionit me Interpol Romën.
54-vjeçari, në 12 Qershor të vitit 1993, në vendin e quajtur “Kroi i Denicës”, Torovicë ka vrarë tre persona, dhe prej asaj kohe ai ka hyrë dhe ka qëndruar me dokumente false në Itali.
Për këtë ngjarje, 54-vjeçari është dënuar me 25 vite burg nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë.
Rikthimin në Shqipëri të 54-vjeçarit për të vuajtur dënimin e komentoi ministri i Brendshëm Taulant Balla. Në një reagim, ministri shkruan se arratia nga përballja me drejtësinë dhe vuajtja e dënimit po merr përgjigjen e duhur çdo ditë.
Balla komentoi gjithashtu edhe arrestimin e dy shqiptarëve të tjerë, në Dubai dhe Belgjikë. Ata u ndaluan me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, për shkak se akuzohen për krime të ndryshme.
Klan News