Gjykata e Fierit ka lënë në burg 39-vjecarin Xhuljano Mihaj, i cili vrau me thikë të riun Xhimi Bakaj.
I pyetur në seancën gjyqësore të së dielës, Mihaj pohoi se nuk ka patur thikë me vete, por ia ka marrë viktimës pasi u përleshën me njëri-tjetrin. Autori i vrasjes tha para gjyqtarit të seancës, Vladimir Cjapi se me viktimën kanë patur herë pas here debate dhe kërcënime, ndërsa ai e ka denoncuar tre herë në policinë e Fierit.
Para togave të zeza, 39-vjeçari Mihaj shprehu pendesë për krimin, ndërsa nga kafazi i qelqtë i kërkoi ndjesë familjarëve të 23-vjeçarit Bakaj.
Në përfundim të seancës gjyqësore, avokati i autorit të krimit tha për mediat se motiv për ngjarjen janë bërë zënkat e vazhdueshme klientit të tij dhe viktimës.
Niko Bega, avokat i Xhuljano Mihaj: I pandehuri pretendon se kur ka shkuar tek vend ii ngjarjes ka takuar fëmijët ku iu ka blerë patetina dhe rroba për të veshur. Ndërkohë ka shkuar edhe viktima. Janë zënë me grushta me njëri-tjetrin. I arrestuari pretendon se ia ka marrë ai thikën, e ka pasur viktima thikën. I ka marrë thikën dhe e ka qëlluar, pasi edhe vetë i arrestuari ka pasur shenja dhune në qafë dhe në kokë.
Konflikti mes Xhuljano Mihaj dhe Xhimi Bakaj, ndodhi mbrëmjen e të premtes, për ish-gruan e autorit, e cila bashkëjetonte me viktimën. 39-vjeçari nuk e kishte pranuar asnjëherë divorcin me gruan e tij me të cilën kishte dy fëmijë ndaj mes të dyve ka nisur menjëherë një përplasje fizike.
Mihaj goditi 3 herë me thikë të riun, duke i marrë jetën. Pas krimit u arrestua dhe i tha policisë se konflikti ishte i rastit dhe se viktima e fyeu. Autori kishte rreth 9 muaj që ishte divorcuar nga bashkëshortja.
Klan News