Shkak për krimin u bë konflikti për pronësinë e banesës
Një ditë pas vrasjes së Jetmira Hasanit në zonën e Bathores, policia vuri në pranga kunatin e saj, 31-vjeçarin Agron Tanushi. I riu u arrestua në qytetin e Lushnjës, pasi është larguar nga banesa e tij menjëherë pas krimit të rëndë. Uniformat blu kanë sekuestruar edhe armën me të cilën, i riu vrau kunatën e tij pasditen e së martës.
Mësohet se shkak për krimin është bërë konflikti për pronësinë e banesës ku jetonin autori dhe viktima. 34-vjeçarja ishte divorcuar 4 vite më parë nga bashkëshorti i saj, vëllai i Tanushit, por vazhdonte të jetonte në shtëpinë e tyre, në katin e dytë.
Viktima pretendonte se prona i përkiste asaj dhe ky ka qenë edhe shkaku për konfliktet e vazhdueshme. Ditën që ndodhi vrasja, 31-vjeçarja po përgatitej të largohej nga banesa bashkë me vajzën e saj të mitur, por në këtë moment ka lindur një tjetër konflikt me Tanushin që degjeneroi në përdorimin e armës.
Më herët, autori dhe viktima kanë paditur njëri-tjetrin në polici, ndërsa në Korrik të këtij viti gjykata ka lëshuar edhe një urdhër mbrojtje për të dyja palët. Sipas këtij vendimi, Tanushi dhe Hasani duhet të mos fyenin ose kërcënonin njëri-tjetrin të paktën deri në 15 Dhjetor të këtij viti, por tashmë është e qartë se ky urdhër nuk vlejti për asgjë.
Tv Klan