Shkak, dyshohet një konflikt në rrjetet sociale
19-vjeçari Grei Bihuci bëri vetëm 2 orë mësim në shkollën profesionale “Petro Sota” këtë të hënë dhe më pas u largua. Në rrjetet sociale ishte përplasur me një moshatar të tij, 18-vjeçarin Florian Muka dhe kishin lënë qendrën e qytetit për t’u sqaruar.
Por fjalët ishin të pakta duke kaluar menjëherë në përplasje fizike. Muka e qëlloi të riun disa herë me një thikë që mbante me vete duke i shkaktuar plagë të rënda. Edhe pse u transportua menjëherë në spital, 19-vjeçari nuk mundi të mbijetojë.
I plagosur mbeti edhe një 20-vjeçar, i cili ka tentuar të ndërhyjë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. I riu është dërguar në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Pak minuta pas ngjarjes policia vuri në pranga autorin. Për sqarimin e plotë të rrethanave, hetuesit kanë sekuestruar disa prova materiale, mes të cilave dhe pamje filmike.
Nga verifikimet e deritanishme dyshimet janë se konflikti ka si shkak motive banale. Në pyetje për ngjarjen janë duke u marrë dëshmitarë okularë, por edhe të afërm të autorit dhe viktimës.
Tv Klan