Ushtria izraelite njoftoi të martën se vrau një komandant të lartë të njësitit të Hezbollahut përgjegjës për raketat, ndërkohë vazhdoi shkëmbimi i zjarrit të artilerisë dhe fushata masive bombarduese izraelite që deri tani ka pasur një bilanc tragjik prej mbi 560 vetash.
Ushtria izraelite e identifikoi atë si Ibrahim Kobeisi, përgjegjës për lëshimin e raketave në Izrael.
Në sfondin e luftës në terren, vijojnë përpjekjet diplomatike. Zëvendës Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Jon Finer, tha se zyrtarët e administratës Biden janë të angazhuar në bisedime me aleatët për të ndihmuar në shtensionimin ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.
Zoti Finer iu shmang pyetjeve nëse luftimet janë shndërruar që tani në një luftë të hapur me Libanin.
Në terren, mijëra vetë u larguan nga pjesa jugore e Libanit ndërkohë që palët janë gjithnjë e më afër një lufte të hapur. Në Bejrut dhe qytetin bregdetar Sidon, familjet e zhvendosura fjetën në vendstrehime të improvizuara në objekte shkollore. Hotelet janë stërmbushur përtej kapacitetit dhe çmimet e dhomave shkuan përtej buxhetit të shumë familjeve, duke i detyruar shumë të tjerë që nuk gjetën strehim të flenë në vetura, parqe dhe përgjatë plazhit.
Autoritetet shëndetësore libaneze thanë se numri i të vdekurve nga bombardimet izraelite gjatë dy ditëve të fundit arriti prej 560 vetëve.
Ushtria e Izraelit tha se do të “bëjë çfarëdo që është e nevojshme” për të larguar Hezbollahun nga kufiri. Izraeli dhe Hezbollahu shkëmbyen sulme që kur filloi lufta ndërmjet Izraelit dhe Hamasit. Të hënën Izraeli filloi të bombardojë pjesët jugore dhe lindore të Libanit. Vetëm të martën, Hezbollahu lëshoi rreth 100 raketa në drejtim të Izraelit.
Klan News