Spektakli më i madh i talenteve në Shqipëri, “X Factor Albania” në Tv Klan, hyn në fazën vendimtare të Vilave të Jurisë, ku emocionet dhe përballjet janë më të forta se kurrë. Sot, mentorët dhe të ftuarit e tyre do të ndihmojnë në përzgjedhjen e 15 konkurrentëve që do të kalojnë në netët live, duke ofruar një eksperiencë të paharrueshme për të gjithë pjesëmarrësit.

Të ftuarit e Mentorëve:

• Arilena Ara, mentorja e vajzave, ka zgjedhur të ftojë këngëtarin dhe kantautorin e njohur Renis Gjoka, i cili do t’i vijë në ndihmë me eksperiencën dhe syrin e tij kritik.

•Në vend të Elhaida Danit, e cila ndodhet jashtë vendit, vendin e saj e kanë zënë dyshja Soni Malaj dhe Bojken Lako. Megjithatë, vendimet për konkurrentët do të merren nga Elhaida, duke u bazuar në performancat e tyre që i ka ndjekur përmes Zoom. Elhaida këtë vit është mentore e grupit të djemve.

• Young Zerka, mentor i skuadrës mix, ka ftuar artistin e njohur Alandyn, për të sjellë një këndvështrim unik dhe profesional gjatë përzgjedhjes.

Të ftuarit dhe mentorët do të dëgjojnë performancat e konkurrentëve, duke ofruar këshilla dhe vlerësime për secilin prej tyre. Pas konsultimeve dhe analizave, juria do të marrë vendimin përfundimtar: cilët nga 30 konkurrentët do të jenë 15 të zgjedhurit që do të prekin skenën e madhe të netëve live.

/tvklan.al