Për herë të parë në Shqipëri është mbajtur sot takimi i drejtuesve të Policive Kriminale të Evropës Juglindore. I pranishëm ka qenë edhe ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, i cili gjatë fjalës së tij ka adresuar problematikat me të cilat përballen sot policitë e vendeve të rajonit. Ndër këto sfida, u veçuan krimi i organizuar, terrorizmi dhe kriza e emigrantëve të paligjshëm.

Ministri Xhafaj theksoi se sot policia përballet me vështirësi të shumta, që sipas tij lidhen me burokracira për shkëmbimin e informacioneve mes shteteve të ndryshme, vendimesh penale apo dhe mandate arrestesh.

“Lëvizje populiste dhe anti-migratore kanë shënuar rritje ashtu siç kanë shënuar rritje dhe veprimtaritë e paligjshme dhe rrjetet kriminale të kontrabandimit të migrantëve, të trafikimit të qenieve njerëzore, trafikimit të armëve, etj. Rreziku terrorist dhe format e ndryshme të ekstremizmit të dhunshëm janë bërë gjithashtu shoqëruese të këtyre fenomeneve. Të gjitha këto, kanë shtuar ndjeshëm barrën dhe pritshmëritë mbi agjencitë ligj zbatuese.

Ndërkohë që ne, politikanët, diskutojmë për zgjidhje rreth tyre apo për të fituar popullaritet në elektorat, përgjegjësia e vërtetë bie mbi ju! Jeni ju Policia, linja e parë, me të cilët emigrantët përballen në kufi, e bashkë me to dhe kontrabandistët, krimin e organizuar trafikantët dhe terroristët potencialë!

Fatkeqësisht, adresimi i këtyre sfidave, përveç risqeve dhe kohës së mundimshme që kërkojnë, has edhe në sfida të tilla që lidhen më shumë me të shkuarën sesa kohët moderne në të cilat jetojmë. Ju duhet të kryeni detyrën me gjithë barrierat dhe ndërlikimet e panevojshme të karakterit gjeopolitik, çështje të sovranitetit, burokraci të tej zgjatura për shkëmbim informacionesh, vendimesh penale, apo mandat arrestesh

“, theksoi ministri i Brendshëm.

Xhafaj konfirmoi edhe njëherë angazhimin e policisë shqiptare për të goditur krimin e organizuar, kjo edhe në kuadër të operacionit “Forca e Ligjit” që ka filluar të veprojë vitin e kaluar.

“Ne po investojmë seriozisht në forcimin e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike të hetimit, si garanci në rritjen e zbulueshmërisë së veprimtarisë kriminale dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve. Reformimi strukturor i Policisë së Shtetit, i konkretizuar në ndryshimet cilësore në Departamentit të Policisë Kriminale, si dhe fillimi i funksionimit të Task Forcës Speciale në zbatim të plani të Qeverisë shqiptare, operacioni “Forca e Ligjit” janë orientuar pikërisht nga kjo filozofi.

Që nga fillimi i këtij operacioni në Nëntor të vitit të kaluar, në zbatim të këtij Plan Veprimi, lufta kundër krimit të organizuar ka marrë një dinamikë dhe dimension tjetër. Rezultatet e arritura, edhe në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë kanë qenë vërtetë inkurajuese, duke u përballur dhe goditur një sërë grupesh kriminale të rrezikshme, të cilat ushtronin veprimtarinë e tyre në Shqipëri, por edhe jashtë territorit tonë”

, u shpreh ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Në këtë takim, Shqipëria mori kryesimin e Konventës së Bashkëpunimit Policor të Evropës Juglindore.

/tvklan.al