Lajme Arkiva 2003

Megjithëse Teatri i Operës dhe Baletit është në nivele të larta artistike këto vitet e fundit duke shtuar gjithnjë e më shumë numrin e shfaqjeve dhe publikut që i ndjek ato, drejtoresha e këtij institucioni Zana Çela ka qenë pre e një sulmi kohët e fundit drejtuar nga kryetari i komisionit parlamentar anti-Rama, zoti Sokol Olldashi.

“Transformimi i Teatrit Operas dhe Baletit nga një institucion publik i falimentuar për shkak të keq menaxhimit dhe braktisjes së spektatorit në vitet ‘92-’98, një nga institucionet më të suksesshme të vendit, duke merituar duartrokitjet e vazhdueshme të publikut është vënë re nga të gjithë”, ka thënë sot në komunikatën para mediave zonja Çela.

Ajo është shprehur sot para gazetarëve e indinjuar për akuzat e zotit Olldashi dhe ka hedhur poshtë lajmin se ajo ka dhënë dorëheqjen për u larguar nga posti i drejtores së Teatrit të Operas dhe Baletit.

Zana Çela: Se çfarë është shoqata “Kultur, Media, Art” dhe cilat janë abuzimet e saj me fondet publike që aq shumë i dhimbsen zotit Olldashi dhe species së tij do t’ja them në sy vetë zotit Olldashi, kur të më japë kënaqësinë e paçmuar që të dëshmojë para tij dhe të gjithë burrave si ai, në atë komision të ngritur vetëm e vetëm për të bërë me baltë gjithçka që është pastruar nga balta në Tiranën e viteve të fundit. Kurse tani dua vetëm të nënvizoj se do të më mungonte vërtetë shumë në karrierën ime si drejtoreshë e Teatrit të Operas, një sulm i tillë. Ky lloj sulmi është prova më e shkëlqyer që suksesi i Teatrit të Operas dhe Baletit, suksesi i festivalit “Marie Kraja”, suksesi i shfaqjeve tona në vazhdimësi ka qenë vërtetë i konsiderueshëm përdeisa ka arritur të shqetësoj seriozisht edhe atë soj parazitësh që ushqehen prej vitesh duke i shpallur luftë punës dhe njerëzve të punës. Deklaroj se nuk kam dhënë dhe s’kam ndërmend të jap dorëheqjen si drejtoreshë e Teatrit të Operas, ashtu siç keq informoi dje Tv Shijak-u, përkundrazi jemi më të impenjuar se kurrë për të realizuar edhe sfida të tjera të planifikuara në kalendarin e shfaqjeve tona./tvklan.al