Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo ishte i ftuar në emisionin “Opinion Plus” për të folur për situatën aktuale politike, si dhe për pozicionimin e opozitës në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm të Republikës së Shqipërisë.
Në lidhje me deklaratën e kreut të PS për mundësinë e kandidimit të Alfred Moisiut për një mandate të dytë presidencial dhe qëndrimin e mazhorancës, Milo tha: “Deklarata e zotit Rama është në vijim të qëndrimeve që ka mbajtur opozita dhe personalisht zoti Rama, i cili e ka parë presidentin Moisiu, sidomos gjatë muajve të shkuar, si një alternativë të mundshme për një mandat të dytë presidencial. Ndërkohë që duke parë zhvillimet e fundit të politikës shqiptare dhe sidomos të këtyre ditëve të fundit, kam përshtypjen se zoti Rama kërkon të japë një mesazh, i cili në gjykimin tim mund të përkthehet që është duke vlerësuar punën që ka bërë zoti Moisiu në vitet e presidencës së tij. Në të njëjtën kohë opozita dhe në këtë rast zoti Rama, kërkon të japë një mesazh tjetër që opozita nuk do ta shfrytëzojë emrin e zotit Moisiu si një barrierë të pakapërcyeshme për të penguar procesin konsensual të zgjedhjes së Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në momentin që edhe nga mazhoranca do të vijnë mesazhe të po kësaj natyre për t’u ulur dhe për të gjetur presidentin konsensual.
Unë mendoj që zotit Moisiu përditë e më shumë i janë pakësuar shanset për të qenë një president konsensual, në radhë të parë për shkak të mazhorancës. Ne nuk kemi një marrë një vendim dhe nuk kemi bërë një mbledhje, në të cilën ne të shprehim vullnetin tonë politik se mund të kishte një kandidim të zotit Moisiu për një mandat të dytë. Opozita nuk mund të rrijë dhe të betonohet pas një emri për të penguar një proces konsensual”.
Kreu i PDS shprehu nevojën e një mirëkuptimi reciprok mes opozitës dhe mazhorancës për të shqyrtuar kandidaturat dhe për të zgjedhur presidentin konsensual, pasi procesi tanimë ndodhet në fazën finale.
“Me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri dhe afrimi i datës së fillimit të procedurave për zgjedhjen e Presidentit të Republikës kanë bërë të mundur që të shikohet me një sy më objektiv dhe më realist gjetja e një konsensusi sa më të gjerë me mazhorancën. Por në qoftë se do të qëndrojmë pas një emri dhe do ta vendosim si një barrikadë përpara palës tjetër, atëherë edhe pala tjetër nuk jep mesazhe konsensuale në adresë të opozitës. Për rrjedhojë nevojitet një mirëkuptim reciprok për t’u ulur në tavolinë dhe për të shqyrtuar mundësi të tjera më konsensuale për t’i dhënë një zgjidhje procesit që tashmë është në fazën finale të tij”.
Milo foli gjithashtu për vizitën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës George W. Bush në Tiranë, si dhe për problemet në raportet historike shqiptaro-amerikane./tvklan.al