Edi Rama: “Sot është një ditë e bukur për familjen shqiptare ashtu sikundër familja ime sot është e bashkuar mes nesh që jetojmë në Shqipëri, nënës time, djalit tim dhe tim vëllai, gruas së tij, fëmijëve të tij që kanë ardhur për të votuar ashtu është bashkuar edhe një masë e jashtëzakonshme emigrantësh dhe emigrantesh që janë këtu për të marrë pjesë në këtë vendim historik, një vendim të cilin populli sovran do ta marri sot dhe unë jam shpresë plotë se do ta marri brenda gjithë normalitetit demokratik dhe qetësisë që meriton. Normalitet dhe qetësi që dua të besoj deri në fund se do të jetë një garanci e dhënë nga të gjitha forcat e rendit në territorin e Shqipërisë, por njëkohësisht edhe nga të gjitha forcat  që ne kemi angazhuar forca qytetare të vendosura për të nxjerrë në fund vendimin e popullit të pa prekur, të pa cenuar dhe të pa deformuar. U bëj thirrje të gjithëve të votojnë, vota është në raste të caktuara mundësia për të bërë histori dhe sot secili mund të bëjë histori duke votuar. U bëj thirrje të gjithëve ta bëjnë këtë qetësisht dhe paqësisht. Ne jemi sot në sytë e të gjithë botës që na vështron, jemi sot në sytë e gjithë partnerëve dhe miqve tanë të paçmuar, ndërkombëtar që na kanë ndihmuar bujarisht në rrugëtimin tonë të vështirë dhe që sot kërkojnë dhe meritojnë nga ne një shprehje të maturisë dhe të vullnetit tonë për t’u bërë pjesë integrale e atij BE, ku zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë parakushti i gjithçkaje tjetër. Së fundi unë përsëris  apelin tim edhe për kryeministrin e vendit që të kontribuojë duke qenë i qetë dhe duke pritur qetësisht rezultatin e votimit, rezultatin e vendimit të popullit sovran.”/tvklan.al