Pas OSBE-së, Komisionit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës edhe asambleja parlamentare e Këshillit të Evropës vlerëson me nota pozitive zgjedhjet e 28 Qershorit në Shqipëri.

Në një raport të komitetit të posaçëm të kësaj asambleje, i cili e ndoqi nga afër të gjithë procesin elektoral, theksohet se këto zgjedhje shënuan një progres të dukshëm.

Sipas këtij institucioni me aplikimin e procedurave të reja si regjistrimi dhe identifikimi i votuesve;  adaptimi i një sistemi ligjor të përmirësuar, votimi për herë të parë me kartat e identitetit apo zhvillimi i qetë i procesit zgjedhor, këto zgjedhje arritën të përmbushnin standardet ndërkombëtare.

Ne raportin që pritet të bëhet publik brenda pak ditësh theksoi gjithashtu se janë vërejtur përmirësime edhe në funksionimin e KQZ.

Komisioni i posaçëm i asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës vë në dukje me kënaqësi faktin se në ditën e zgjedhjeve nuk u shënua asnjë incident apo rast dhune.

Vëzhguesit e Këshillit të Evropës konsiderojnë gjithashtu se amendimet në kushtetutë dhe kodin e ri elektoral të aprovuar me konsensus nga dy partitë kryesore sollën një përmirësim të dukshëm.

Komisioni vë në dukje përpjekjet e mëdha të bëra nga autoritetet për të përfunduar procesin e identifikimit të votuesve në vend dhe lëshimin e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike.

Por konstatuan se pajisja e shtetasve me karta identiteti u kthye në një çështje kryesore të fushatës elektorale duke lënë në hije mjaft çështje të tjera politike që shqetësojnë qytetarët shqiptarë dhe që duhet të ishin në qendër të debateve.

Komisioni vlerëson se edhe në këto zgjedhje pati prezencë të ulët të grave në parlament.

Në fund të këtij raporti ai fton autoritetet shqiptare që në bashkëpunim me komisionin e Venecias të përmirësojnë strukturën legjislative dhe kapacitet e administrimit të zgjedhjeve në disa aspekte, si për shembull në krijimin e një administrate elektorale të paanshme dhe profesioniste; përfshirjen e me shume grave në listën e kandidatëve për deputete dhe rishikimin e kodit zgjedhor ne baze te standardeve ndërkombëtare./tvklan.al

Gazetare: Drini Zeqo