45 mijë shtetas janë thirrur për të votuar në zgjedhjet e pjesshme vendore që zhvillohen pas mbetjes bosh të vendeve të kryetareve në 5 njësi vendore, të cilët u zgjodhën deputetë me 28 qershor.

Votimet kanë nisur në orën 07:00 të mëngjesit në 65 qendra votimi, në minibashkinë numër 10 në Tiranë, në Bashkinë e Klosit, komunën e Fierzës, bashkinë Fushë-Arrëz si dhe në komunën e Otllakut në Berat.

Në këto zgjedhje marrin pjese vetëm tre subjektet politike pjesëmarrëse, Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim si dhe Partia e Punës së Shqipërisë e Riorganizuar, e cila ka vetëm një kandidat në Otllak në Qarkut e Beratit.

Deri në këto momente, procesi, sipas KQZ-së vijon normal pa shënuar asnjë problem. Ndërsa pjesëmarrja ka qenë e ulet.

Leonars Olli: “Absolutisht pa asnjë lloj pa rregullsie apo problematike të ndeshur në të gjitha qendrat e votimit. Kjo jo vetëm sa i takon bazës logjistike zgjedhore që varet nga KQZ, po dhe në raport me ecurinë e votimit në të gjitha nuk ka patur asnjë shqetësim. Ne do të jemi në pritje dhe sigurisht dhe komisionet e qendrave të votimit do të vazhdojnë të jenë të hapura deri në orën 18:00. Fluksi nuk ka qenë do të thoja shumë i madh po sikundër dihet janë zgjedhje të pjesshme vendore dhe njerëzit nuk votojnë do të thoja me një ritëm të përshpejtuar sikundër ndodh me ato të përgjithshme”.

Në 26 qendrat e votimit në njësinë numër 10 në kryeqytet garojnë përballë njeri-tjetrit Blendi Fuga për PD-n dhe Gjergj Thomai nën siglën e LSI-së.

Edhe këtu sipas përfaqësuesve të KQV-s procesi elektoral vijon i qetë, që pas hapjes së kutive të votimit në orën 07:00 të mëngjesit.

Suzana Kryekurti: “Procesi po shkon shumë mirë, njerëzit po vijnë, kemi mirëkuptim shumë të mirë me të gjithë shokët që punojnë këtu anëtarët. Shumë, shumë të qetë edhe po punojmë shumë mirë. jemi të kënaqur nga të gjithë njerëzit që marrin pjesë këtu”.

E njëjta panorama vijon dhe në komunën Otllak të Beratit, një nga më të mëdhatë në këtë qark. Gara këtu zhvillohet në 15 qendra votimi mes kandidatëve Muharem Hoxha, që përfaqëson PD, Nasi Gjoka, i cili garon nën siglën e LSI dhe Hektor Beqollari, përfaqësues i Partisë se Punës së Rinovuar.

Banoret e Otllakut votojnë sot për të zgjedhur kryetarin e ri të komunës pas zgjedhjes së Lefter Maliqit si deputet në procesin elektoral të 28 Qershorit.

Miltiadh Nushi: “Gjer në këto momente nuk ka asnjë problem, pra procesi zhvillohet normalisht. Numri i votuesve është 10 mijë e 205”.

Edhe në Bashkinë e Klosit, komunën e Fierzës si dhe bashkinë Fushe-Arrëz procesi zgjedhor vijon të jetë i qetë. Votimet do të mbyllen në orën 18:00.

Ndërsa numërimi i votave do të monitorohet nga sistemi i kamerave. Në këto votime PS ka vendosur të mos marrë pjesë. Komisionarët që i takonin asaj, janë zëvendësuar nga PBDNJ, ashtu siç përcaktohet në kodin elektoral./tvklan.al

Gazetare: Jolldiz Mitro