Pas mbylljes së procesit të votimit, i cili ishte i qetë dhe pa probleme, administrata zgjedhore ka nisur numërimin e votave në 5 njësite vendore ku sot u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme lokale.
Numërimi për krerët e rinj lokale të minibashkisë 10 në kryeqytet, bashkisë së Klosit, asaj të Fushe-Arrzit, dhe komunave Fierzë e Otllak, kryhet sipas monitorimit me kamera, i njëjti sistem që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përdori edhe në betejën elektorale të 28 qershorit.
Leonard Olli: “Në orën 18:00 të gjitha qendrat e votimit janë mbyllur madje në disa njësi vendore votimi kishte mbaruar dhe më herët, por gjithsesi ne ishim detyruar të respektonim orarin zyrtarë të mbylljes të qendrave të votimit. Janë instaluar të gjitha kamerat pranë vendeve të numërimit, ka përfunduar instalimi që gjatë ditës së mërkurë dhe nga e mërkura e deri sot kanë qenë në procedura kolaudimi dhe ka rezoltuar që janë komplet në rregull nga pikëpamja teknike”.
Ashtu si procesi i votimit edhe ai i numërimit ka vijuar pa probleme dhe sipas parashikimeve rezultatet përfundimtare pritet të shpallen ditën e hënë.
Evgjeni Kota: “Procesi i numërimit ka filluar po ecën mbarë. Deri tashi kanë filluar kutitë e para, raporti është në avantazh PD. Besoj nga ora 1 do kemi mbaruar”.
Fitueset e këtyre zgjedhjeve do të zëvendësojnë drejtuesit e mëparshëm vendore, të mandatuar si deputete në zgjedhjet e 28 Qershorit.
Në garë morën pjesë vetëm tre subjekte politike PD, LSI si dhe Partia e Punës se Shqipërisë e Riorganizuar, e cila garoi me një kandidat në Otllak të Qarkut të Beratit./tvklan.al
Gazetari: Julian Kasapi