Vetëm 3 javë nga zgjedhjet e Parlamentit Europian, në Francë gara elektorale me gjasë do të jetë një “Déjà vu” e presidencialeve të vitit 2017, ku fitues u shpall Emmanuel Macron.
Sot, 2 vjet më pas beteja do të jetë sërish mes partisë së presidentit francez “La République en Marche” dhe forcës së ekstremit të djathtë të Marine Le Pen, “Le Rassemblement National”.
Sondazhet në Francë flasin për një rënie të lehtë të Macron me 1.5% nga viti 2017. Megjithatë presidenti vijonë të kryesojë garën me 22.5%, ndërsa Le Pen e ndjek fare pranë me 21.5%.
Por një tjetër projektim e nxjerr forcën euro-skeptike të Le Pen në vend të parë me 24%, me një avantazh prej 3 pikësh përqindje ndaj Macron që arriti në 21%.
Marine Le Pen mbështet fuqishëm frontin populist të kryesuar nga zv/kryeministri italian Matteo Salvini, që bëson se rimëkëmbja e Europës nis kryesisht nga dëbimi i emigrantëve.
Emmanuel Macron nga ana tjetër propozoi një marrëveshje të re Shengen me më pak vende, një lëvizje që shihet nga analistët si politikë për të kënaqur valën euroskeptike që po rritet gjithnjë e më shumë në Europë.
Tv Klan