Komisioneri për zgjerim në BE, Olli Rehn, ka dalë kundër deklaratës së kancelares gjermane lidhur me zgjerimin e Bashkimit Evropian.

Rehn kërkoi nga BE të mos frenojë zgjerimin në vendet e Ballkanit Perëndimor, në një kohë që i bëri thirrje Gjermanisë të mos komprometojë perspektivën e Ballkanit drejt integrimit, pasi këto vende përfshi këtu edhe Shqipërinë janë faktor stabiliteti për të gjithë rajonin.

Deklarata e komisionerit për zgjerim erdhi menjëherë pas deklaratës së kancelares, Angela Merkel, e cila kërkoi nga BE që me integrimin e Kroacisë procesi për vendet e tjera të shtyhej për disa vjet, një deklaratë kjo, e cila më shumë se kundër Ballkanit ka qenë një mesazh i qartë politik drejtuar zgjedhësve gjermanë, të cilët në muajt Gusht e Shtator do të votojnë për drejtuesit e rinj lokalë e qendrorë.

Nga shumë ekspertë, fjalët e kancelares gjermane, të thëna gjatë një tubimi partiak janë parë thjesht si propagandë, meqë edhe vendi ka hyrë tashmë në fushatë elektorale.

Deklarata e Merkel, e cila e rreshton Gjermaninë në të njëjtën listë me Francën, sa i takon zgjerimit të BE, vjen në një kohë që kritikat ndaj qeverisë janë shtuar në një masë të madhe për shkak të problemeve të thella të papunësisë, ato sociale, krizës botërore dhe recesionit të thellë ekonomik.

Vetëm pak ditë më parë ekspertë ndërkombëtarë u shprehen me kritika të ashpra se qeveria gjermane po nguron të ndihmojë vendet e tjera, përfshi edhe ato që janë prekur nga kriza financiare, qofshin këto në eurozonë apo jashtë saj.

Po ashtu me kritika janë pritur edhe programet e qeverisë për daljen nga kriza, të cilat për një kabinet ekzekutiv në prag të zgjedhjeve mund të japin pasoja shumë negative. 

Ky vit është cilësuar si vit i rëndësishëm dhe jo vetëm për shkak të zgjedhjeve në të gjitha nivelet, por edhe për shkak të klimës së tensionuar politike dhe ekonomike si brenda ashtu edhe jashtë vendit./tvklan.al