Ekonomia shqiptare është duke ecur përpara me ritme të shpejta pavarësisht krizës globale. Sipas raportit më të fundit të statistikave të publikuar nga Banka e Shqipërisë investimet e huaja në Shqipëri janë rritur me 59% në krahasim me një vit më parë. E gjithë kjo ka ndodhur në një kohë kur ekonomia dhe tregtia botërore kanë pësuar ulje.

Eno Bozdo: “Rritja e investimeve të huaja direkte në këtë masë vërteton edhe njëherë që ekonomia shqiptare është e shëndoshë, po performon mënyrën më optimale të saj. Politikat e qeverisë për të përkrahur dhe nxitur investimet e huaja direkte, për ta kthyer Shqipërinë në një vend sa më tërheqës praktikisht kanë funksionuar dhe është sinjal i cili i lëshohet jo vetëm investitorëve të cilët kanë investuar  në Shqipëri, por dhe investitorëve potencial. Duke e nxjerrë në pah Shqipërinë si në vend i cili është i aftë, ekonomia e të cilës është e aftë të tërheqë investime të huaja direkte. Atëherë kur ekonomia globale po pëson krizën më të madhe të të gjitha kohërave ndoshta.”

Sipas zëvendës ministrit Bozdo një tregues tjetër pozitiv për ekonominë tonë është raporti global kompetitiv, indeksi i të cili shënon një rritje të Shqipërisë me 12 vende duke e çuar atë në vendin e 96.

Eno Bozdo: “Në krye të 4 viteve ne kemi mundur që të zhvendosemi nga faza e parë. Ky raport ndahet në 3 faza, e ndan vendet në 3 faza. Nga faza e parë Shqipëria ka lëvizur që quhet zhvillimi bazik, në fazën e dytë që quhet zhvillimi eficent dhe me synimin për të arritur në një të ardhme jo të largët në një fazë të tretë i cili ka të bëjë me zhvillimin dhe inovacionin.”

Në katër vitet e ardhshme infrastruktura rrugore, reformat në shëndetësi dhe arsim do të jenë përparësitë kryesore të qeverisë./tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi