Djegia e disa automjeteve në garazhin e një pallati 8 katësh në Komunën e Parisit në Tiranë ka shkaktuar kaos dhe panik te banorët. Shkak është bërë përhapja e tymit toksik në apartamente dhe rreziku nga asfiksia.

Zjarrfikësit për shkak të dendësisë së tymit nisën evakuimin e fëmijëve fillimisht nga katet e larta me anë të shkallës lëvizëse ndërsa dy grupet e tjera vendosen nën kontroll flakët në katin nëntokë.

Urgjenca Kombëtare u angazhua me ambulancat për të evakuuar rastet që kishin probleme në frymëmarrje nga tymi që përfshiu ndërtesën.

Katër persona u asistuan me oksigjen, për shkak të problematikave që kanë hasur në frymëmarrje nga tymi ndërsa një 38-vjeçare u paraqit në shërbimin e toksikologjisë në QSUT dhe trajtimin më të specializuar.

Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës të Tiranës, Shkëlqim Goxhaj tha paraprakisht dyshohet se shkak për këtë zjarr, ka qenë një shkëndijë elektrike nga kati i nëndheshëm nga një pajisje elektrike.

Kujtojmë se pak ditë më parë po në këtë zonë, një zjarr nga një shkëndijë në një panel elektrik dogji thuajse dy kate të një pallati dhe detyroi banorët të linin shtëpitë e tyre.

Klan News