Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve kundërshton ligjin e kthimit, kompensimit të pronave që u miratua vetëm nga mazhoranca. Drejtuesi i saj i kërkon Presidentit të mos e dekretojë këtë ligj. Konsensusi i brishtë mes dy forcave kryesore politike është thyer me miratimin e ligjit ‘për kthimin dhe kompensimin e pronave’ shprehet Spahiu, madje Zyra do të drejtojë dhe protesta qytetare në mbrojtje të pronarëve legjitimë.
Kreshnik Spahiu: “I kemi kërkuar Presidentit të Republikës të mos dekretojë ligjin për kthimin e pronave, pra t’ia kthejë për rishqyrtim parlamentit. E kemi kërkuar këtë pasi nuk mund të lejojmë që ligji për pronat të shndërrohet në një amnisti politike për ish-zyrtarët apo zyrtarët e qeverisë së demokratëve apo qeverisë së socialistëve të cilët kanë abuzuar me praktika korruptive duek shitur, blerë apo dhënë me qira troje dhe toka që nga viti ‘91 e në vijim.”
Ndërkohë Presidentit i kanë mbetur edhe 18 ditë afat ligjor deri në shprehjen përfundimtare të institucionit të tij rreth ligjit të pronave. Presidenti është në periudhën konsultative. Ai është shprehur se është një nga ligjet më të rëndësishme në 14 vitet e parlamentarizmit shqiptar ligji për kthimin dhe kompensimin e pronave. Deklarat e dalë nga presidenca citon se Presidenti edhe në tryezën e dhjetorit të vitit 2002 mes partive politike ka bërë thrirrje për konsensus të gjerë për miratimin e këtij ligji. Presidenti ka bërë gjithashtu të ditur edhe faktorin ndërkombëtar që ligjet me karakter kushtetues duhet të miratohen mes shumicës nga parlamenti. /tvklan.al