10 mijë e 400 ha tokë vijojnë të jenë nën ujë në zonën e Nënshkodrës, ndërkohë që forcat e ushtrisë kanë vijuar operacionin e ndihmës për banorët e prekur nga përmbytjet.
Kreu i Komitetit Ndërministror të Emergjencës Lulzim Basha ka ndjekur nga afër shpërndarjen e ndihmave ushqimore në komunën Dajç dhe Pentar, dy nga zonat më problematike në siperfaqen e përmbytur, ku në bashkëbisedimin që pati me banorët i siguroi ata se do të dëmshpërblehen për çdo gjë që kanë humbur.
Basha ka kontrolluar dhe argjinaturën e Komunës Dajç, ku ka takuar ekipin maqedonas që po ndihmon në këtë zonë, të cilëve u ka kërkuar që puna të përqëndrohet në thithjen e ujit me motopompa në këtë zonë.
Në Dajç helikopterët italianë kane derguar 10 tonë ujë, 700 pako ushqimore, 5 tonë koncentrat për bagëtinë, 100 pelerina, 50 çadra dhe 100 çizme.
Po kështu në Shkodër ishte edhe Ministri kosovar i Forcave të Sigurisë, Sehmi Mujota, i cili ka siguruar Ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami, për mbështetje të vazhdueshme deri në tejkalimin e situatës.
Nje situatë më e përmirësuar se një ditë më parë është vënë re në rrethinat e qytetit të Shkodrës. Niveli i ujit ka pësuar rënie, por megjithatë lagjet periferike vijojnë të jenë të përmbytura.
Tv Klan