Energjia elektrike ishte në fokus të bisedës që zëvendës kryeministri Genc Pollo zhvilloi me banorë të komunës Kutalli të Beratit. Në takimin me ta Pollo u shpreh se dalja e vendit nga errësira ishte një nga premtimet që mazhoranca e djathtë e bëri realitet. Sipas tij kjo është një dëshmi e vullnetit që qeveria Berisha e tregoi në katër vitet e mandatit të saj të parë.
Genc Pollo: “Vjeshta e 2005 edhe në qeverinë tonë ka qenë muaj pa drita sepse qeveritarët socialist në periudhën 3 mujore nga humbja e zgjedhjeve deri në dorëzimin e pushtetit, hapën kaskadat e Drinit që qeveria që do të vinte në detyrë të ndihej në pozitë të vështirë. Ndryshimi do të thotë që në vitin 2006 dhe tashmë që jemi në vitin 2009 as Goriçani, as Kutallia, as Sukalati,as Poshnja as Berati dhe pjesa tjetër e vendit nuk e ka përjetuar që një javë rresht apo edhe 3 ditë rresht ti pritet korrenti.”
Ndryshimi nuk është ndalur me kaq ka thënë Pollo, por është konkretizuar me ndërtimin e shumë veprave energjetike. Këto arritje është shprehur zëvendës kryeministri ,nuk i shikon opozita dhe kryetari saj Edi Rama.
Genc Pollo: “Ky është një ndryshim që vlen për ju dhe vlen për gjithë Shqipërinë, prandaj ne themi që Shqipëria po ndryshon për mirë. I vetmi njeri që nuk arrin ta dallojë këtë ndryshim është zoti Edi Rama i kyçur në kullën e mohimit gjithçkaje të mirë që ka ndodhur në këtë vend dhe për këtë ai ka nevojë të shërohet.”
Pollo u bëri thirrje banorëve të këtyre zonave të aplikojnë për marrjen e letërnjoftimeve të reja elektronike, në mënyrë që të kontribuojnë kështu në fitoren e zgjedhjeve të 28 qershorit./tvklan.al