Zv/kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Ilir Meta, i ka kërkuar opozitës të respektojë vullnetin e shqiptarëve të shprehur me votë në 28 Qershor.

Si përgjigje ndaj pyetjeve të gazetarëve mbi tonet e ashpra që ka marrë debati pozitë-opozitë, Meta akuzoi Ramën se është vënë në krye të një politike destruktive për interesa pushteti personal.

Ilir Meta: “Sjellja destruktive e lidershipit të opozitës nuk i shkon për shtat një opozite në një vend anëtar të NATO-s dhe një opozite në një vend që hyn në një proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian. Kështu që mos shikoni pasojat, por shikoni dhe shkakun dhe me këtë rast ftoj të gjithë që të heqin dorë nga etiketimet e panevojshme të karakterit personal dhe këtë në radhë të parë do ta bëj kryetari i PS-së.”

Meta tha se objektivat evropiane të vendit duhet të tejkalojnë interesat e vogla dhe sjelljet destruktive.

Ilir Meta: “Mendoj se të gjithë duhet të ngrihen mbi interesat e vogla e aq më tepër mbi egot për pushtet  dhe duhet të respektojnë pikërisht vullnetin e qytetarëve shqiptar, duhet të respektojnë kushtetutën e vendit. Mendoj se çdo sjellje destruktive absolutisht jo vetëm që nuk i shërben interesave të vendit por nuk i shërben as interesave të atyre që kanë bllokuar për një opozitë demokratike.”

Këto komente Ministri i Jashtëm i bëri pasi vendosi kurora me lule në varrezat e dëshmorëve të kombit.

Meta tha se në themelet e Shqipërisë se sotme qëndron sakrifica e të rënëve për atdheun ndaj dhe ata duhen kujtuar e nderuar me respekt./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi