Pak orë pas betimit në presidencë dhe mbledhjes së parë të qeverisë, zëvendëskryeministri dhe ministri i jashtëm, Ilir Meta, njëkohësisht, kryetar i LSI, tha në emisionin Opinion, se ndodhet në këtë post në vijim të një përgjegjësie të plotë politike pas një marrëveshje të hapur me kryeministrin Berisha për të çuar përpara aspiratat e shqiptarëve për integrimin e vendit.
Meta deklaroi, se partia e tij do t’i qëndrojë besnike marrëveshjes për këto 4 vjet qeverisje dhe se e sheh programin e saj të pasqyruar në programin e shpallur nga kryeministri. Ai sqaroi se nuk ka arsye të ketë përplasje mes tij dhe kreut të qeverisë, duke theksuar se të dy janë të interesuar për një qeverisje të mirë.
Ilir Meta: “Koalicioni sa ka filluar, është në rrugë të mbarë dhe të jeni të sigurtë që nuk shikoj aspak mjegull në horizont, unë shikoj vullnet pozitiv dhe mendoj që nuk është koha tani për të investuar me dyshime. Është koha për të investuar me besim dhe me vullnet pozitiv, pse? Sepse shqiptarët votuan dhe shqiptarët duhet të votojnë si në çdo vend të botës njëherë në 4 vjet. Prandaj edhe ato forcat që kanë marrë përsipër të bëjnë një koalicion qeverisës bazuar në këto rezultate edhe forca të cilat janë opozitë dhe në një opozitë shumë të fortë për shkak të rezultatit. Duhet të përmbushin detyrimet e tyre ndaj vendit.”
Meta foli gjithashtu edhe për marrëdhëniet mes LSI-së dhe Partisë Socialiste, duke thënë se situatën politike aktuale e diktoi kreu socialist në detyrë, me ligjin e zgjedhjeve apo refuzimin arrogant të bashkëpunimit.
Ilir Meta: “Unë i bëra të gjitha përpjekjet për të vendosur një bashkëpunim sa më luajal përpara 28 qershorit, ato u refuzuan me shumë arrogancë dhe vetëm me një përgjigje votoni numrin 33. Pas 28 qershorit kjo ishte e vetmja zgjidhje dhe unë çdo ditë e më shumë jam i bindur që kemi vepruar në mënyrën më të drejtë.”
Meta u shpreh gjithashtu se LSI do të jetë në koalicion me PD-në bazë të një marrëveshje të hapur dhe parimore. Po ashtu, marrëveshje do të ketë edhe për zgjedhjen e presidentit.
Ilir Meta: “Mund të krahasohen zgjedhjet e 28 qershorit me zgjedhjet e mëparshme, as me zgjedhjet e vitit 2000, kur unë isha kryeministër. Nuk ka asnjë arsye, absolutisht. Do të bashkëpunoj shumë ngushtë më presidentin e Republikës, sepse presidenti është një aktor i rëndësishëm i gjithë politikës shtetërore në marrëdhënie diplomatike dhe praktikën e jashtme, me kryetaren e Parlamentit, me kryetaren e Komisionit të Integrimit , me kryetarin e Komisionit të Jashtëm, sepse unë jam një natyrë shumë bashkëpunuese.
Në lidhje me bojkotin e Partisë Socialiste, Meta tha se shumica e deputetëve të kësaj partie nuk janë dakord me këtë vendim personal të Ramës që kërkon të dëmtojë procesin e liberalizimit të vizave./tvklan.al