Përfaqësues të trupit diplomatik të vendeve anëtare të BE-së të shoqëruar nga zëvendësministri i Brendshëm Ferdiand Pone janë njohur nga afër me procesin e aplikimit të kartave të identitetit në Shqipëri. Ndër ta konsulli i vendit që kryeson presidencën e BE, Çekisë ka shprehur vlerësimet më pozitive për këtë çështje.
“Kam një përshtypje shumë pozitive rreth kësaj çështjeje. Nuk jam një ekspert i sigurisë së dokumenteve të identifikimit vlerësimin e duhur do ta bëjnë ekspertët, por jam shumë i impresionuar. Përsa i përket rolit që do të luajë një pasaportë e re në dorë të një aplikanti për vizë ajo do të vazhdojë të jetë një nga disa dokumentet e kërkuar, pra jo domosdoshmërish çdo qytetar me pasaportë të re do të ketë një aplikim të suksesshëm për vizë.”
Ferdiand Pone: “Ne u përgjigjëm pozitivisht kërkesës së të gjithë ambasadave të Bashkimit Evropian, për tu njohur dhe për të parë më nga afër në përputhje edhe me standardet e sigurisë aq sa mund të shihet dhe të shpjegohet, qendrën e personalizimit, sistemin tonë të integrimit. Ajo përshtypje e përgjithshme për një sistem solid dhe të integruar për standarde shumë të larta të sigurisë, të dokumenteve, standarde shumë të larta të sistemit të integruar dhe standarde shumë të larta të prodhimit, do të reflektohen edhe në kancelaritë e shteteve që përfaqësohen nga këta konsuj.”/tvklan.al