Prej të hënës të gjithë shtetasit shqiptar që nuk kanë pasaporta duhet të drejtohen pranë zyrave të aplikimit për t’u pajisur me karta identiteti brenda 15 prillit, datë që shënon edhe afatin e fundit për ta. Vendimi për t’i dhënë prioritet kësaj kategorie duke plotësuar kështu edhe një kërkesë të opozitës u bë i ditur nga ministria e Brendshme përmes zëdhënësit të saj.
Fatmir Konja: “Duke pasur parasysh se dokument i vlefshëm për votim do të jetë edhe pasaporta aktuale për udhëtim jashtë shtetit, prioriteti për aplikimin për letërnjoftimet elektronike do t’u jepet shtetasve që nuk zotërojnë pasaportë. Shtetasit të cilët janë të detyruar të pajisen me letërnjoftim, sipas pikës 3 të këtij vendimi që janë mbi moshën 18 vjeç në datën 28 qershor 2009 dhe nuk disponojnë pasaportë, duhet të pajise me letërnjoftim deri më datën 15 prill 2009.”
Në rast të kundërt deri në pajisjen me letërnjoftim këta persona do të sanksionohen duke u privuar nga një sërë shërbimesh, të bëra publike që në nisjen e procesit të pajisjes me dokumentet e rinj të identifikimit. Ministria e Brendshme sqaroi gjithashtu se procedurat aplikimit për të gjithë shtetasit e tjerë do të nisë në datën 1 prill dhe se nga ky rregull bëjnë përjashtim vetëm shtetasit që kanë aplikuar përpara datës 31 janar, pajisja e të cilëve me letërnjoftime do të vazhdojë rregullisht./tvklan.al
Gazetare: Jolldiz Mitro
Operator: Klevis Çaka