Procesi i pajisjes së qytetarëve me karta identiteti po ecën me ritme të larta në të gjithë vendin.
Në qytetet kryesore prodhimi i letërnjoftimeve plotëson kushtet për pajisjen e të gjithë qytetarëve.
Në Lushnje numri i aplikimeve ka shënuar një trefishim vetëm muajin e fundit. Po ashtu si dhe ne shume rrethe te tjera, edhe këtu mbetet problem tërheqja e letërnjoftimeve, tashme te gatshme.
Daut Sula: “Procesi i kartave të identitetit po ecën me ritme mjaft të mira. Mund të themi që në ditët e fundit mbase edhe për efekt të uljes së tarifave të pagesave ka patur një dyndje dhe një interes të jashtëzakonshëm në të gjithë njësitë e qeverisjes vendore, pra pranë zyrave të aplikimit. Tashmë unë do të thoja që me interes për publikun, me interes për të gjithë ne është që t’i bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të shkojnë pranë zyrave për të tërhequr kartat”.
Në qytetin e Korçës në Jug Interesimi i qytetarëve për të aplikuar për këto dokumente ka qenë i lartë, çfarë e tregon dhe numri i aplikimeve që bëhen çdo ditë këtu. Sipas të dhënave të bashkisë, çdo ditë aplikojnë mbi 200 persona.
“Mirë shumë. Neve na bëjnë favor ne të moshuarat, na futin, nuk na lejnë të vonohemi”.
“Shumë mirë. Pa probleme. Jo, jo sot aplikuam, për disa ditë do t’i marrim”.
Shpërndarja e letërnjoftimeve elektronike vazhdon me te njëjtat ritme edhe ne Elbasan. Krahas shpërndarjes po i kushtohet rëndësi edhe kompensimit të vlerës monetare për kategorinë e përcaktuar nga qeveria.
Drejtoresha e Albapostës, Brunilda Dulja shprehet se deri më tani janë shitur 12 mijë kuponë për personat që nuk kanë pasaporta dhe bashkë me pensionistët kjo shifër ka shkuar në 20 mijë.
Brunilda Dulja: “Procesi po ecën normalisht në të gjitha zyrat postare përsa i takon kompensimit të pensionistëve. Kemi pasur një fluks dhe vazhdojmë të kemi fluks si për pensionistët, ashtu edhe për qytetarët.”
Prodhimi dhe pajisja e qytetarëve me letërnjoftime ka patur një fluks në rritje në të gjithë vendi, ndërkohë nga Ministria e Brendshme po i kushtohet rëndësi dhe sensibilizimit të qytetarëve për tërheqjen e këtij dokumenti.
Sipas te dhënave zyrtare mbi 350 mije karta te prodhuara gjenden ne pikat e shpërndarjes./tvklan.al
Gazetare: Anduena Llabani