Vizita në Tiranë e Zv/presidentit të Bankës Botërore Philipe Le Houerou ka sqaruar pozicionin e qeverisë shqiptare lidhur me projektin për menaxhimin e integruar të bregdetit. Zyrtari i lartë i Bankës Botërore pranoi hapur se ishte banka që gaboi dhe se qeveria shqiptare mbajti barrën e akuzave të pa baza.
Philipe Le Houerou: “Bankës i vjen keq që në një inspektim që kishte për qëllim të shikonte nëse banka u ishte përmbajtur apo jo politikave të saj, dolën deklarata të pa bazuara kundër veprimeve të qeverisë për këtë projekt. Dua të jem shumë i qartë, procesi i panelit të inspektimit nuk heton asnjë mënyrë veprimet e klientëve tanë dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të interpretohet si i tillë. Për më tepër nuk pati asnjë provë për korrupsion në mënyrë që Departamenti për Integritetin Institucional të Bankës të kryente hetime të mëtejshme. Pra përfundimisht duhet të pranojmë që banka ka bërë gabime në këtë projekt. Po punojmë që të sigurohemi që kjo nuk do të ndodhë më në të ardhmen, qoftë këtu, apo në një vend tjetër”.
Ardhja në Tiranë e numrit dy të Bankës Botërore kishte të bënte më përcaktimin e një strategjie bashkëpunimi që përfshin periudhën 2010-2013, strategji që do të bazohet më së shumti në prioritet e qeverisë. Kështu Berisha zbardhi një nga projektet e rëndësishme që nënvizohet edhe për shkak të situatës në veriperëndim të vendit.
Sali Berisha: “Banka Botërore angazhohet të na ndihmojë ne sikundër na ka ndihmuar gjer sot, në një projekt të rëndësishëm për sigurinë e digave dhe në përpjekjen tonë për të shndërruar Shqipërinë në një superfuqi të vogël, të prodhimit të energjisë së pastër në rajon”.
Zv/Presidenti i Bankës Botërore, bashkë me solidaritetin e ofruar banorëve në zonat e përmbytura dha garancisë se institucioni i rëndësishëm financiar, do të angazhohet në rehabilitimin e Shkodrës. Ai shpalli si arsye të asaj që ndodhi atje ndryshimet klimatike, ndaj dhe kërkoi që kësaj çështjeje t’i kushtohet më shumë vëmendje.
Philipe Le Houerou: “Mësimet e nxjerra nga debatet për ndryshimet e ndryshme klimatike na tregojnë se sa i brishtë mund të jetë zhvillimi ynë dhe se nuk kujdesemi për planetin tonë, madje dhe ngjarjet e ditëve të fundit tregojnë se sa të brishtë jemi ne ndaj ndryshimeve klimatike. Jemi të gatshëm të ndihmojmë në rehabilitimin dhe rindërtimin e Shkodrës dhe zonës për rreth”.
Numri dy i Bankës Botërore e nisi fjalimin e tij me një sërë vlerësimesh për arritjet e vendit kryesisht gjatë viteve të fundit. Ai e konsideroi Shqipërinë një histori suksesi të Bankës Botërore. Bashkë me vlerësimin për reformat e ndërmarra përfaqësuesi i lartë i Bankës Botërore i mëshoi aftësisë së qeverisë për të menaxhuar krizën botërore.
Philipe Le Houerou: “Sigurisht që aftësia e Shqipërisë në menaxhimin e krizës deri tani është dëshmi e mësimeve që ajo ka nxjerrë vet nga e kaluara e saj, megjithatë në kushtet ku ndikimi i krizës vazhdon të rritet, ne do t’ju inkurajonim që të mbaheni fort në traditën tuaj të një politike fiskale të shëndoshë, të duruar dhe të kujdesshme, që e ka ndihmuar këtë ekonomi në të kaluarën të mbetet fleksibël dhe të rritet fuqishëm për 19 vjet. Tani që Shqipëria e ka fituar tashmë statusin e një vendi me një nivel mesatar të ardhurash, Banka Botërore tashmë ka kënaqësinë ta kalojë Shqipërinë në grupin e vendeve që përfitojnë financime nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, duke ndihmuar kështu aksesin tashmë në rritje të Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitaleve”.
Kryeministri Sali Berisha garantoi, se qeveria mbetet e vendosur të ruajë stabilitetin makro-ekonomik të vendit.
Sali Berisha: “Shfrytëzoj këtë rast t’u bëj një thirrje komunitetit të donatorëve, që të rrisin bujarinë e tyre dhe kontributet në Bankën Botërore si një nga rrugët të përballimit me sukses të pasojave të cunamit financiar dhe ekonomik, që kaloi ekonomia botërore dhe i cili natyrisht bëhet më i dëmshëm tek ekonomitë fraxhile dhe vendeve të cilat kanë nevoja jetike, jo për të ecur, por për të vrapuar”.
Ndihma e Bankës Botërore për Shqipërinë llogaritet një 1 miliard dollar. Bashkëpunimi në të ardhmen do të prekë fusha të tilla si transporti, bujqësia, reduktimi i varfërisë, arsimi, shëndetësia, etj. Gjatë vizitës së tij të parë në Tiranë Zv/Presidenti i Bankës Botërore u prit në takim dhe nga Presidenti i Republikës Bamir Topi./tvklan.al