Ashtu siç është parashikuar edhe nga afatet e UEFA-s, Shqipëria ka dërguar listën e saj zyrtare për Euro 2024. Trajneri Silvinjo ka hequr nga lista vetëm një lojtar. Bëhet fjalë për portierin e Eintracht Frankfurt, Simon Simoni.

Kujtojmë që për fazën përgatitore që u zhvillua në Austri, Silvinjo ftoi 27 lojtarë nga 26 që lejohet të shkojnë në Europian. Mesa duket dilema e trajnerit ka qenë porta duke qenë se për tre role që lejohen, ftoi katër futbollistë.

Miqësoret me Azerbajxhanin dhe Lihtenshtejnin i kanë shërbyer brazilianit për të qartësuar edhe idetë e fundit teksa tashmë Shqipëria bëhet gati zyrtarisht për europianin. Megjithatë edhe pse jo pjesë e listës, Simoni do të qëndrojë gjatë stërvitjeve me ekipin edhe në kampin bazë në Gjermani.

“Pavarësisht se nuk do të ketë mundësi të japë kontributin e tij në fushë portieri Simon Simoni do të udhëtojë me ekipin drejt Dortmundit në kampin bazë dhe do të qëndrojë me skuadrën në mbështetje të kuqezinjve në Kampionatin Europian “Gjermani 2024””, njoftoi FSHF.

Kombëtarja kuqezi do ta ketë bazën e saj në një qendër stërvitore në Dortmund. Në këtë qytet do të luhet edhe ndeshja e parë kundër Italisë më 15 Qershor. Të gjitha ndeshjet e kombëtares shqiptare dhe të Europianit do të mund t’i ndiqni në Tv Klan.

Lista e lojtarëve në Euro 2024:

Portierë: Etrit Berisha, Thomas Strakosha, Elhan Kastrati;

Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Elseid Hysaj, Ivan Balliu, Ardian Ismajli, Arlind Ajeti, Naser Aliji, Mario Mitaj, Enea Mihaj, Marash Kumbulla; 

Mesfushorë: Amir Abrashi, Kristjan Asllani, Nedim Bajrami, Medon Berisha, Klaus Gjasula, Qazim Laçi, Ernest Muçi, Ylber Ramadani;

Sulmues: Jasir Asani, Armando Broja, Mirlind Daku, Arbër Hoxha, Rey Manaj dhe Taulant Seferi./tvklan.al