Kryeministri Edi Rama shprehet besimplotë se Partia Socialiste do të fitojë mandatin e 4 qeverisës në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025.

Në fjalën e tij në Kuvendin Rinor Kombëtar të PS, Rama bëri thirrje se Partia Socialiste është e vetmja që mund të përmbushë vizionin Shqipëria 2030, me anëtarësimin e vendit tonë në Bashkimin Europian.

100 ditë nga sot, kjo parti, forca e përbashkët e shqiptarëve, Partia Socialiste e Shqipërisë do ta marrë mandatin e 4 për ta ngritur atdheun në majën e lartë të 2030. Aty ku Shqipëria do të jetë më në fund si gjithë Europa. Në atë majë ne do ta vendosim përgjithmonë flamurin tonë kombëtar, aty ku është oborri i shtëpisë së familjes europiane ku do hyjmë nga dera kryesore si të barabartë mes të barabartëve anëtarë të BE. 100 ditë nga sot shqiptarët brenda dhe jashtë Shqipërisë do të na mbështesin më shumë se asnjëherë më parë.

Jo thjesht se ne jemi më të mirët, dhe pse më të mirë se ne nuk ka, por sepse sot si asnjëherë tjetër Shqipëria i është afruar asaj maje. Dhe shqiptarët që të gjithë pa përjashtim duhet ta dinë atë që sidoqoftë shumica e tyre e di fare mirë, atë majë që tani shihet me sy dhe në një distancë shikimi me sy arrihet në këmbë si një realitet konkret dhe i prekshëm dhe jo si një ëndërr që nuk realizohet, nuk e afroi koha, por e afroi vizioni, skuadra, e afroi përpjekja jonë e jashtëzakonshme e të gjithë këtyre viteve.

Që kur ne morëm detyrën, i dhamë kohës shqiptare një kuptim të ri në të gjitha drejtimet, por duke filluar nga drejtimi i kurrizit përballë të huajve dhe nga vënia në vend e dinjitetit të Shqipërisë në sytë e botës. Ja ku është sot Shqipëria falë gjithçkaje kemi bërë në një dekada betejash të pafundme përmes trekëmbëshash të panumërta, një vend që negocion anëtarësimin në BE, një vend që flitet mirë për të kudo dhe ku të gjithë duan të vijnë ta vizitojnë, që në një dakadë e rriti më shumë se 2 herë e gjysmë prodhimin e përgjithshëm kombëtar”.

Kryeministri Rama u bëri thirrje qytetarëve që mos ta çojnë votën dëm në zgjedhjet e 11 Majit, duke sulmuar opozitën dhe alternativat e tjera partiake.

“Të gjithë duhet ta dinë mirë, se kjo nuk është koha për të luajtur me fatin e Shqipërisë duke djegur votën në oxhakun gjithë blozë të një partie të vjetër që të vetmen gjë demokratike ka llagapin e saj, apo në mangallët e partiçkave të reja që të vetmen gjë të re kanë moshën e pronarëve të tyre. Kjo është koha kur shqiptarët duhet ta përdorin votën për Shqipërinë 2030, për Shqipërinë europiane të Ballkanit. Kjo është koha kur të gjithë duhet ta dinë se për të arritur Shqipërinë 2030, ka vetëm një tren për të gjithë, Partia Socialiste e Shqipërisë”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Partia Socialiste qëndron në pushtet që prej vitit 2013, duke fituar 3 mandate radhazi qeverisëse.


“Vota për ne sjell ndryshimin”, Rama për kundërshtarët: Opozitë bretkosash me në krye bufin e kënetës

Rama nuk lë pa ironizuar opozitën të cilën e quan kënetë bretkosash, ndërsa liderin e saj “buf kënete”. Kryeministri ka kërkuar dhe votën e emigranëtve të diasporës të cilëve ju ka thënë që ta mos humbasin kohë, por të regjistrohen për zgjedhjet e 11 Majit.

Edi Rama: Asnjë forcë nuk është më e re se kjo e jona. Asnjë forcë tjetër nuk ka më shumë eksperiencë dhe energji se sa kjo e jona. Asnjë forcë tjetër e vjetër apo e re nuk ka më shumë rini se sa ne dhe në asnjë forcë tjetër nuk ka vend për të rinj dhe për të vjetër nga se ka tek ne. Tek asnjë forcë tjetër, vota nuk sjellë asgjë të re, fuqia që i sjell të rejat për vendin nuk është askund tjetër përveç se këtu tek ne dhe me ne. Prandaj, vota për ne është e vetmja për ndryshimin, vota për të tjerët, votë e sigurtë për zhgënjimin.

Të gjithë tjerët premtojnë çdo gjë se nuk kanë asgjë në dorë. Ne kemi në dorë të bëjmë atë që premtojmë. Ne kemi në dorë të çojmë në vend amanetin e të parëve tanë dhe të bëjmë realitet ëndrrën evropiane të shqiptare duke e kthyer votën e tyre për PS me një ulëse me emrin Albania në tryezën e Bashkimit Europian. Këtë mund ta bëjmë vetëm ne. Nëse nga sot në 100 ditë, votave të shqiptarëve të Shqipërisë do ju shtohen dhe ata të botës dhe Europës, kjo do të thotë se ne luftuam dhe duruam, por në fund e bëmë këtë që premtuam.

Ne ia ngritëm kokën Shqipërisë në botë të regjistrohet që me votën për PS-së që të bëjë të mundur që fëmijët e sotëm të jenë qytetarët e barabartë mes të barabartëve në familjen e bashkuar europiane. Kush na ndjek nga jashtë vendit, ta ketë parasysh se afati i fundit për regjistrimin përmes postës, data është 4 Mars. Futuni në faqen e KQZ-së dhe regjistrohuni për të votuar më 11 Maj dhe mos e vini kurrë ndryshim: Vota e çuar tek cilido tjetër është një gur i hedhur në ujë në kënetën e një opozite bretkosash që ka një krye një buf kënete. Vota e sjellë tek ne, është një gur i vendosur në muret e reja të shtetit evropian shqiptar që po shtrihen dhe po forcohen në të gjitha fushat e jetës shqiptare.


“TUMO në Shkodër dhe Vlorë”, Rama: Projektet dixhitale në mandatin e katërt

Kryeministri Rama ka thënë se brenda mandatit të katërt nuk do të ketë asnjë fëmijë në Shqipëri që do të mbetet pa akses në teknologji. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama është ndalur tek disa prej investimeve më të mëdha në fushën dixhitale.

“Nga sot, 100 ditë nuk kam asnjë dyshim se shumica e votuesve të parë, studentëve e të rejave dhe të rinjve do të jetë për t’u ngjitur më lart drejt majës dhe jo për t’u rizhytur në kënetën nga e nxorrëm Shqipërinë. Sot dyert e universitetit nuk hapen me forcën e mikut apo të partisë si deri një dekadë më parë, me meritë përmes një platforme dixhitale për të cilën nuk ka asnjë ankesë të vetme. Sot, Shqipëria nuk është më vendi i analfabetizmit dixhital. Brenda mandatit tonë të katërt nuk do të ketë asnjë fëmijë të Shqipërisë që do të mbetet pa akses në teknologji”, u shpreh Kryeministri.

Më tej, Rama ka dhënë lajmin se qendra dixhitale për fëmijët “TUMO” do të jetë së shpejti dhe në Shkodër dhe Vlorë.

“Piramida e Tiranës ishte një qenef në mes të bulevardit, sot ka një qendër ekselence dixhitale ekselence për fëmijët nga 12 vjeç e të rinjtë deri më 18 vjeç ku mësojmë mbi 1 mijë e 800 nxënës. Qendra quhet TUMO, ka ende vende dhe shpenzimet mbulohen 100% nga Bashkia e Tiranës. Atë qendër do e çojmë së shpejti në Shkodër dhe në Vlorë dhe më pas dhe në Elbasan dhe me radhë. Po aty, sapo ka hapur dyer platforma “Plug and Play” zgjodhën Tiranën për të vendosur njësinë e tyre në të gjithë rajonin. Sa e paimagjinueshme do të ishte kjo jo 100 vjet, por deri disa vite më parë.

Ajo qendër ofron mbështetje këtu pranë shtëpisë, pranë familjes për të gjithë të rinjtë që ëndërrojnë të çajnë qiellin e teknologjisë shqiptare. Sot po krijohen kushtet që edhe të tjerë të lënë nam dhe të bënë emër të madh pasi në këtë fushë nuk ka kufi, nuk ka madhësi të vendit, nuk ka asnjëlloj dallimi mes shteteve që ndalon talentet të pushtojnë botën. Tek Piramida nisin regjistrimet për Instucionin Francez të Teknologjisë ku do të marrin mësim 250 studentë çdo vit nga Shtator nga 18 deri në 35 vjeç”, u shpreh Rama.

Kryeministri gjithashtu është shprehur i bindur për fitoren e mandatit të katërt qverisës, brenda së cilit ka thënë se do të futet inteligjenca artificiale në prokurimet publike për t’i dhënë goditjen vdekjeprurëse korrupsionit.

“Do të hapim laboratorin rajonal të inteligjencës artificiale në shërbim të mjekësisë. Të tjera projekte në fushën e teknologjisë dixhitale do të jenë pjesë e të gjithë ekosistemit tonë kombëtar të Shqipërisë 2030. Së shpejti, Diella, asistentja e e-Albania do të kryejë të gjithë procesin e shërbimit për marrjen llogari të qytetarit dhe në gjysmën e këtij viti nuk do të jetë më nevoja për t’u penguar në atë procesin e kërkesës për shërbim. Do i mjaftojë Diellës një “face time”. Në gjysmën e dytë të mandatit të katërt, Shqipëria do të fusë inteligjencën artificiale në prokurorimet publike për t’i dhënë goditje vdekjeprurëse korrupsionit.

47 milionë shërbime ka dhënë e-Albania gjatë këtyre viteve, 47 milionë rrugë për të shkuar tek një sportel, 47 milionë qëndrime në radhë. Të gjitha këto tregojnë se horizont i ri i teknologjisë po hapet me shpëjtësi duke krijuar një perspektivë të re të mirëpaguar. Të gjithë këta nxënës që hyjnë në laboratoret inteligjente dhe marrin mësime me metodat më të avancuara, t’i drejtohen nesër tregut të punës. Nuk është vetëm e sotmja premtuese”, theksoi Rama.

Kryeministri nuk ka lënë pa sulmuar liderin e opozitës, Sali Berishën, të cilin e ka quajtur buf i stërplakur, ndërsa opozitën e ka cilësuar “kënetë bretkosash”.

“Që nga sot, 100 ditë do ta bëjnë shumicën e votuesve të parë dhe do i bëjnë të rejat dhe të rinjtë e sotëm që ta refuzojnë kënetën dhe bufin e tyre të stërplakur dhe të gjitha bretkosat politike dhe të gjitha atyre kwakwakeve mediatike. Ata do i bashkohen trenit të PS-së nga 11 Maj. Shqipëria po bëhet dhe kudo ku toka quhet Shqipëri, po krijohet një mundësi”, tha Kryeministri Rama.


Beteja e 11 Majit/ Rama përgatitet për “luftë” të fortë me opozitën: Ata do vërshojnë me tërbim

Zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, pritet të sjellin një betejë të fortë politike mes qeverisë socialiste që synon mandatin e 4 radhazi, dhe opozitës demokrate që kërkon të rimarrë pushtetin.

Për këtë është i qartë edhe vetë Kryeministri Rama, i cili thotë se teksa po afrohen zgjedhjet, beteja nuk do të jetë e lehtë, duke hedhur akuza në adresë të opozitës se kjo e fundit do të tentojë të hedhë baltë ndaj qeverisë.

Megjithatë, Kryeministri Rama u shpreh i bindur për fitoren e 4 të socialistëve, dhe kërkoi një rezultat akoma më të thellë se në zgjedhjet e kaluara.

“Në 100 ditët e ardhshme do ngremë një shumicë më të madhe se asnjëherë më parë për t’i thënë një po shurdhuese Shqipërisë në Europë dhe një JO të madhe sa shuplaka e një populli për t’i thënë jo Shqipërisë prapë në gropë. Nuk do jetë një beteje e lehtë sepse ambicia jonë është e madhe dhe objektivi ynë është shumë ambicioz. Problemi ynë as këtë herë nuk do jenë kundërshtarët, por dhe më shumë se në të dy herët e shkuara do jetë llumi. Llumi i kënetës së tyre që këtë herë do vërshojë me edhe më shumë tërbim për të errësuar sa më shumë sy, për të çoroditur sa më shumë mendje, për të mërzitur sa më shumë zemra dhe për të ftohur ndaj ndesh sa më shumë njerëz. Nuk do t’ja dalin. Kanë për ta marrë mbrapsht syve siç e meritojnë, por do na duhet shumë durim, shumë energji deri në fund të këtyre 100 ditëve”, u shpreh Kryeministri.


Rama – të rinjve të PS: S’keni parë gjë akoma nga shija e politikës, shtrëngoni dhëmbët


/tvklan.al