Në Kuvendin Rinor Kombëtar, Kryeministri Rama ka thënë se brenda mandatit të katërt nuk do të ketë asnjë fëmijë në Shqipëri që do të mbetet pa akses në teknologji. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri Rama është ndalur tek disa prej investimeve më të mëdha në fushën dixhitale.
“Nga sot, 100 ditë nuk kam asnjë dyshim se shumica e votuesve të parë, studentëve e të rejave dhe të rinjve do të jetë për t’u ngjitur më lart drejt majës dhe jo për t’u rizhytur në kënetën nga e nxorrëm Shqipërinë. Sot dyert e universitetit nuk hapen me forcën e mikut apo të partisë si deri një dekadë më parë, me meritë përmes një platforme dixhitale për të cilën nuk ka asnjë ankesë të vetme. Sot, Shqipëria nuk është më vendi i analfabetizmit dixhital. Brenda mandatit tonë të katërt nuk do të ketë asnjë fëmijë të Shqipërisë që do të mbetet pa akses në teknologji”, u shpreh Kryeministri.
Më tej, Rama ka dhënë lajmin se qendra dixhitale për fëmijët “TUMO” do të jetë së shpejti dhe në Shkodër dhe Vlorë.
“Piramida e Tiranës ishte një qenef në mes të bulevardit, sot ka një qendër ekselence dixhitale ekselence për fëmijët nga 12 vjeç e të rinjtë deri më 18 vjeç ku mësojmë mbi 1 mijë e 800 nxënës. Qendra quhet TUMO, ka ende vende dhe shpenzimet mbulohen 100% nga Bashkia e Tiranës. Atë qendër do e çojmë së shpejti në Shkodër dhe në Vlorë dhe më pas dhe në Elbasan dhe me radhë. Po aty, sapo ka hapur dyer platforma “Plug and Play” zgjodhën Tiranën për të vendosur njësinë e tyre në të gjithë rajonin. Sa e paimagjinueshme do të ishte kjo jo 100 vjet, por deri disa vite më parë.
Ajo qendër ofron mbështetje këtu pranë shtëpisë, pranë familjes për të gjithë të rinjtë që ëndërrojnë të çajnë qiellin e teknologjisë shqiptare. Sot po krijohen kushtet që edhe të tjerë të lënë nam dhe të bënë emër të madh pasi në këtë fushë nuk ka kufi, nuk ka madhësi të vendit, nuk ka asnjëlloj dallimi mes shteteve që ndalon talentet të pushtojnë botën. Tek Piramida nisin regjistrimet për Instucionin Francez të Teknologjisë ku do të marrin mësim 250 studentë çdo vit nga Shtator nga 18 deri në 35 vjeç”, u shpreh Rama.
Kryeministri gjithashtu është shprehur i bindur për fitoren e mandatit të katërt qverisës, brenda së cilit ka thënë se do të futet inteligjenca artificiale në prokurimet publike për t’i dhënë goditjen vdekjeprurëse korrupsionit.
“Do të hapim laboratorin rajonal të inteligjencës artificiale në shërbim të mjekësisë. Të tjera projekte në fushën e teknologjisë dixhitale do të jenë pjesë e të gjithë ekosistemit tonë kombëtar të Shqipërisë 2030. Së shpejti, Diella, asistentja e e-Albania do të kryejë të gjithë procesin e shërbimit për marrjen llogari të qytetarit dhe në gjysmën e këtij viti nuk do të jetë më nevoja për t’u penguar në atë procesin e kërkesës për shërbim. Do i mjaftojë Diellës një “face time”. Në gjysmën e dytë të mandatit të katërt, Shqipëria do të fusë inteligjencën artificiale në prokurorimet publike për t’i dhënë goditje vdekjeprurëse korrupsionit.
47 milionë shërbime ka dhënë e-Albania gjatë këtyre viteve, 47 milionë rrugë për të shkuar tek një sportel, 47 milionë qëndrime në radhë. Të gjitha këto tregojnë se horizont i ri i teknologjisë po hapet me shpëjtësi duke krijuar një perspektivë të re të mirëpaguar. Të gjithë këta nxënës që hyjnë në laboratoret inteligjente dhe marrin mësime me metodat më të avancuara, t’i drejtohen nesër tregut të punës. Nuk është vetëm e sotmja premtuese”, theksoi Rama.
Kryeministri nuk ka lënë pa sulmuar liderin e opozitës, Sali Berishën, të cilin e ka quajtur buf i stërplakur, ndërsa opozitën e ka cilësuar “kënetë bretkosash”.
“Që nga sot, 100 ditë do ta bëjnë shumicën e votuesve të parë dhe do i bëjnë të rejat dhe të rinjtë e sotëm që ta refuzojnë kënetën dhe bufin e tyre të stërplakur dhe të gjitha bretkosat politike dhe të gjitha atyre kwakwakeve mediatike. Ata do i bashkohen trenit të PS-së nga 11 Maj. Shqipëria po bëhet dhe kudo ku toka quhet Shqipëri, po krijohet një mundësi”, tha Kryeministri Rama.
/tvklan.al