Zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, pritet të sjellin një betejë të fortë politike mes qeverisë socialiste që synon mandatin e 4 radhazi, dhe opozitës demokrate që kërkon të rimarrë pushtetin.
Për këtë është i qartë edhe vetë Kryeministri Rama, i cili thotë se teksa po afrohen zgjedhjet, beteja nuk do të jetë e lehtë, duke hedhur akuza në adresë të opozitës se kjo e fundit do të tentojë të hedhë baltë ndaj qeverisë.
Megjithatë, Kryeministri Rama u shpreh i bindur për fitoren e 4 të socialistëve, dhe kërkoi një rezultat akoma më të thellë se në zgjedhjet e kaluara.
“Në 100 ditët e ardhshme do ngremë një shumicë më të madhe se asnjëherë më parë për t’i thënë një po shurdhuese Shqipërisë në Europë dhe një JO të madhe sa shuplaka e një populli për t’i thënë jo Shqipërisë prapë në gropë. Nuk do jetë një beteje e lehtë sepse ambicia jonë është e madhe dhe objektivi ynë është shumë ambicioz. Problemi ynë as këtë herë nuk do jenë kundërshtarët, por dhe më shumë se në të dy herët e shkuara do jetë llumi. Llumi i kënetës së tyre që këtë herë do vërshojë me edhe më shumë tërbim për të errësuar sa më shumë sy, për të çoroditur sa më shumë mendje, për të mërzitur sa më shumë zemra dhe për të ftohur ndaj ndesh sa më shumë njerëz. Nuk do t’ja dalin. Kanë për ta marrë mbrapsht syve siç e meritojnë, por do na duhet shumë durim, shumë energji deri në fund të këtyre 100 ditëve”, u shpreh Kryeministri.
Këto deklarata Rama i bëri nga Kuvendi Rinor Kombëtar i Partisë Socialiste.
/tvklan.al